Shefik Surdulli, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit ka bërë apel te qytetarët që të vazhdojnë të kujdesen për veten e tyre dhe me këtë edhe për të tjerët, duke i respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore, në këtë kohë të pandemisë me COVID-19.
Ai thotë se duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi duke i respektuar në përpikëri masat e institucioneve tona shëndetësore. pasi nëse ne kujdesemi për veten tonë, institucionet tona komunale dhe ato të shtetit, do ta kenë më lehtë të na ndihmojnë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ja mesazhi i tij lidhur me këtë çështje:
Jeta është e shtrenjtë për ta humbur nga pakujdesia.
Nëse dielli sot po nxehë, ju mos u “azdisni” për të dalë nga karantina, sepse mund ta paguajmë shtrenjtë.
Dielli do të jetë aty, do të na ngrohë përsëri. Fundja, ai është i yni.
Rrini ashtu siç keni qëndruar deri më tani duke i respektuar në përpikëri masat e institucioneve tona shëndetësore.
Nëse jeni lodhur duke qëndruar të mbyllur në shtëpi, në karantinë, vazhdoni edhe pak. Dhe kur prapë të mërziteni, qëndroni vetëm edhe paak…Kështu derisa një ditë, të gjithë të dalim dhe të festojmë së bashku “lirinë” tonë – shpëtimin nga sëmundja globale e shekullit – Covid 19.
Nëse ne kujdesemi për veten tonë, institucionet tona komunale dhe ato të shtetit, do ta kenë më lehtë të na ndihmojnë.
Solidarizohuni mes vete, me ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj, të paktën t’i inkurajojmë për ditët e mira që do të vijnë.
E ajo ditë nuk vonon!
I juaji sinqerisht,
Shefik Surdulli (këshilltar Komunal, nga PDK Gjilan)