Në kuadër të javës së 31-të, të Superligës së Kosovës në Futboll, sot zhvillohen tri ndeshje, në të cilat përfshihen edhe ballafaqimet e pretendetëve për titull kampioni, në mesin e tyre edhe dueli i skuadrës gjilanase, FC Drita e cila do të luaj mysafire te Dukagjini, por edhe i skuadrës tjetre gjilanase, SC Gjilani, që për t’i ikur barazhit, do të kërkojë pikë ndaj Ballkanit, prijësit aktual të tabelës së klasifikimit.
Drita aktualisht mban pozitën e dytë me 58 pikë, sa ka Llapi i treti, por dy më pak se Ballkani që kryeson tabelën. Fitorja eventuale e Dritës dhe zhgënjimi eventual i Ballkanit, do ta vendoste Dritën në krye tabelës.
Sido që të jetë, duhet pritur epilogun e takimeve të sotme për të parë ndryshimet në tabelë, ndërkohë që kujtojmë se Drita, për shkak të zhvillimeve të fundit, kësaj here nuk ka ftuar konferencën e zakonshme, duke prishur kështu traditën, si skuadra e vetme transparente, që për disa vite me radhë organizonte konferencë me gazetarë, para çdo takimi që do të luante, ku trajner të klubit e lojtarë prononcoheshin para gazetarëve.
Skuadra tjetër gjilanase, që po ashtu ka një takim të rëndësishëm, SC Gjilani do ta pret në shtëpi, pretendentin kryesor për titull Ballkanin. Pra, derisa Ballkani pret të luaj për fitore që do ta mbajë në krye të tabelës dhe garën e mëtutjeshme për titull, fitorja është e rëndësishme edhe për skuadrën gjilanase për t’i ikur zonës (vendit) të barazhit, aktualisht ku ndodhet tani, me pikë të barabarta me Feronikelin 74, kundërshtarin e drejtpërdrejt në këtë “luftë”, por që ajo e ka luajtur ndeshjen e kësaj xhiroje, dhe SC Gjilani, me fitore apo barazim do të ngjitej një vend mbi Feronikelin.
Ndërsa, kur jemi te komunikimi me gazetarë, edhe SC Gjilani ka filluar, tani së fundi, me konferenca, dhe në këtë të fundit, trajneri i kësaj skuadre Gentjan Mezani, ka thënë ndër tjerash, se do të jenë përballë një ndeshje të vështirë, ashtu siç priten të jenë të gjitha deri në fundin e këtij edicioni, por se janë të gatshëm për të bërë dhe për të marrë maksimumin.
Edhe portieri i skuadrës kuqebardh, Aridon Bllaca, është shprehur optimist para ndeshjes ndaj Ballkanit, dhe tha se janë të motivuar e fokusuar për rezultat pozitiv.
Ndeshja tjetër e kësaj xhiroje, luhet mes Prishtinës e Llapit, kjo e dytë në garë për titull.
Të gjitha duelet zhvillohen nga ora 15:00. /2LONLINE/