Të premten në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes, në pjesën veriore të Kosovës ka pasur sulme me koktej mollotov në pasuri (djegie e makinave) të familjeve të pjesëtarëve të komunitetit serb që janë pjesëtarë të FSK-së.
Këto akte kriminale bëhen me qellim që të frikësojnë pjesëtarët e FSK-së, nga qarqet kriminale dhe nacionaliste serbe në pjesën veriore, të cilat shprehin urrejtje dhe pa pajtueshmëri me integrimet, zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Ministria e FSK-së dhe FSK qëndrojnë fuqishëm në mbështetje të pjesëtarëve të saj, të cilët përkundër kërcënimeve dhe dëmtimeve reale të pasurisë së tyre, vazhdojnë të jenë pjesë e FSK-së dhe të shërbejnë me dinjitet në kryerjen e obligimeve të tyre si pjesëtarë të FSK-së.
Prandaj MFSK kërkon nga institucionet shtetërore të Kosovës, Policia e Kosovës dhe KFOR-i, që të angazhohen seriozisht, me tërë fuqinë e ligjit, që të dalin në mbrojtje të jetës dhe pasurisë së pjesëtarëve të FSK-së, që të lihen të lirë të realizojnë të drejtat e tyre si qytetarë dhe si njerëz të lirë në përzgjedhjen e perspektivës së tyre jetësore.
Kosova dhe organet e saj vendore dhe ndërkombëtare, duhet të garantojnë liri dhe siguri të plotë për të gjithë qytetarët, pavarësisht se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë, që të realizojnë të drejtat e tyre qytetare, të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.