Përzgjedhësi i Suedisë, Erik Hamren ka publikuar të enjten listën për miqësoren e 5 marsit me Turqinë, por në emëroren e tij nuk gjenden dy futbollistët nga Kosova, Emir Bajrami e Erton Fejzullahu.
Ky i fundit kishte shënuar dy gola në grumbullimin e Suedisë B të mbajtur në Arabi gjatë muajit janar, por përkundër kësaj nuk ka marrë ftesën. Madje, vetë sulmuesi kishte përjashtuar mundësinë e grumbullimit me Kosovën, pasi kishte llogaritur në ftesën e Suedisë për këtë takim.
Ndërkohë, Bajrami, i lënë jashtë grumbullimit nga Suedia për shumë muaj, pak për shkak të formës e pak për shkak të lëndimit, nuk është ftuar as këtë herë, pavarësisht se është rikthyer muajin e kaluar në fushën e gjelbër.
Ai pritet të jetë pjesë e listës së përzgjedhësit Albert Bunjaku për miqësoren e 5 marsit me Haitin. Tani ka gjasa që edhe Fejzullahu t’i bashkohet Kosovës. Listën e ka shpallur edhe Suedia U-21, në të cilën nuk figuron asnjë lojtarë me prejardhje nga Kosova./Tribuna/