Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim studentet nga Universiteti i Lyoni-it të Francës, Auriane Dubreu, Marie Bertrand, Juliette Jaricot dhe Florent Bilali të cilët përmes një projekti nga ky universitet synojnë të ndihmojnë shkollat e fshatrave Debelldeh, Letnicë e Ballancë me mjete konkretizimi për mësim.
Florent Bilali, student i Universitetit të Lyon-it të Francës dhe i angazhuar në realizimin e këtij projekti ndër tjerash tha se nga aktivitetet e shumta që realizuar nga studentet pjesëmarrës në këtë projekt në Francë janë grumbulluar mjete të ndryshme financiare si dhe janë dhënë edhe donacione me të cilën do të ndihmohen shkollat e fshatrave Debelldeh, Letnicë dhe Ballancë me mjete të konkretizimit për mësim.
Ndërkaq Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i ka falënderuar studentët për këtë projekt dhe u shpreh se ata janë të mirëseardhur në Viti.
Përndryshe në këtë takim ka marrë pjesë edhe Fatbardha Emini, drejtoreshë e Arsimit në Viti, e cila theksoi se studentët do të kenë përkrahjen e Komunës së Vitisë, në veçanti të drejtorisë së Arsimit në realizimin e këtij projekti në këtë komunë.