Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit që Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka me Universitetin e Zug (PH Zug) në Zvicër, është edhe shkëmbimi i studentëve mes dy Institucioneve.
Gjatë kësaj jave po qëndrojnë në UKZ studentë nga PH Zug.
Ditën e parë studentët mysafir janë pritur në një takim nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka dhe anëtarët tjerë të stafit të UKZ të cilët iu kanë dëshiruar mirëseardhje studentëve nga Zvicra. Më pas studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” mikpritës të studentëve nga Universiteti PH Zug, kanë pasur takim me Dekanin e Fakultetit të Edukimit Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli, profesorë, asistentë dhe studentë të Fakultetit të Edukimit, ku kanë diskutuar për sistemin e arsimit në Kosovë.
Ndërkohë është mbajtur një punëtori me temë “Roli i mësuesit në shkollë dhe shoqëri” nga Prof. Ass. Dr. Selim Daku dhe Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka
Gjatë ditës studentët kanë vizituar shkollën fillore “Thimi Mitko” ku janë pritur në takim nga menaxhmenti i shkollës, pastaj janë ndarë në grupe për të qëndruar nëpër klasat ku nxënësit ndjekin mësimin, me qëllim që të shohin se si zhvillohet një orë mësimore në Kosovës.
Gjatë ditëve në vijim, studentët nga Universiteti PH Zug të shoqëruar nga studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, sipas agjendës, do të marrin pjesë në punëtoritë e organizuara nga stafi i Universitetit, do të vizitojnë shkollën fillore “Musa Zajmi”, shkollën fillore “Selami Hallaqi” dhe shkollën fillore “Rexhep Elmazi” ku do të priten në takim nga menaxhmenti i shkollave të lartcekura e më pas do të marrin pjesë në orët mësimore të këtyre shkollave për të parë nga afër se si zhvillohet mësimi.
Po ashtu sipas agjendës, studentët e Zvicrës do të udhëtojnë bashkë me studentët e UKZ-së, në një ekskursion nëpër Kosovë, me ç ‘rast do të vizitojnë Monumentin Historik në Prekaz, qytetin e vjetër të Gjakovës dhe qytetin e vjetër të Prizrenit.
Studentët zviceran gjatë kësaj jave sa do të qëndrojnë në Kosovë, janë duke banuar nëpër familjet Gjilanase, respektivisht nëpër familjet e studentëve tanë, për të mësuar më shumë për sistemin arsimor, për kulturën shqiptare, për traditat tona dhe në përgjithësi për jetën kosovare. /2LONLINE/