Qeveria e Kosovës ka pasur Bankën Botërore, por edhe partnerë të tjerë bashkudhëtues në krijimin, dizajnimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për sektorin e energjisë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në konferencën e përbashkët për media me Ministrin e Financave Avdullah Hoti dhe zëdhënësin e delegacionit të drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore, Maximo Torero, në fokus të së cilës ishin zhvillimet në sektorin e energjisë.
Ministri Stavileci tha se janë duke hulumtuar bashkërisht për të gjetur zgjidhje të mirë në fushën e energjisë duke transformuar dhe modernizuar këtë sektor me një Strategji që përfshin në vete objektiva të shumta, në kuadër të një miksi energjetik, i cili mundëson zgjidhje të drejta dhe të arsyeshme për të arritur dy objektiva kryesore; atë të sigurisë së furnizimit me energji dhe përballueshmërinë e çmimeve
“Edhe një herë e shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar për mbështetjen të cilën e kanë treguar në forma të ndryshme, e të cilën po e tregojnë edhe gjatë kësaj periudhe, sidomos në kohën kur ne si Qeveri jemi në fazën përmbyllëse të negociatave me investitorin amerikan me të cilin shpresojmë shumë shpejt ta finalizojmë nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, pra zgjidhje përfundimtare të një projekti, i cili nuk është i vetmi në fushën e energjisë”, tha Stavileci.
Kreu i MZHE-së bëri të ditur se në kuptimin mjedisor, kapacitetet e reja do të ndërtohen me teknologjinë e re që i plotëson standardet më të larta, ndërsa po ashtu do të punohet në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme si dhe zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në kuadër të programeve të ndryshme me Bankën Botërore, si dhe me partnerë partneret tjerë si Banka Zhvillimore Gjermane, korniza investuese e Ballkanit Perëndimorë etj.
Stavileci tha se në kuadër të bashkimit regjional me shtetet e Ballkanit Perëndimor synohet të krijohet një treg i qëndrueshëm i energjisë elektrike, i cili ka për qëllim liberalizimin e tregut e gjithashtu edhe liberalizimin e çmimeve.
Nga ana e tij, Ministri i Financave, Avdullah Hoti vlerësoi se Banka Botërore mbetet njëri nga partnerët kryesorë zhvillimorë të vendit, duke shtuar se Qeveria me këtë institucion financiar, ka një portofol shumë të madh me projekte prej më të ndryshmeve.
“Projektet e BB-së kanë bërë të mundur zhvillimin e sektorëve që si shtet i ri na ka munguar financimi edhe ekspertiza e nevojshme. Tashmë me klauzolën e investimeve ne kemi hapur një mundësi të re për të bashkëpunuar me Bankën Botërorë për projekte të ndryshme”, tha ai, duke shtuar se së fundi është finalizuar Strategjia e re e partneritetit me Bankën Botërore, e cila do të adresojë sfidat që ka Kosova.
Drejtori Ekzekutiv i të Bankës Botërore, Maximo Torero, duke folur në emër të delegacionit të këtij institucioni tha se kanë ardhur në Kosovë për të parë nga afër zhvillimet dhe reformat në sektorin e energjisë.
“Ne jemi duke shikuar se si të mbështesim planin e energjisë siç e shpjegoi edhe ministri. Ne besojmë se është shumë e rëndësishme të rritet miksi i energjisë, dhe këtu nuk është vetëm rritja e efiçiencës që është edhe synim i Qeverisë, por edhe rritja e prodhimit nga Burimet e Ripërtëritshme dhe kalimi në Termocentralin e ri “Kosova e Re”, tha ai.
Ai tha se opsionet e rritjes së energjisë së ripëtrëristhsme dhe integrimi regjional i sektorit të energjisë në mënyrë që të kemi një treg të energjisë më të qëndrueshëm janë të mundshme vetëm nëse kemi parasysh zhvillimin e qëndrueshëm, jo vetëm në aspektin e qasjes në energji por në aspektin e mbrojtjes së mjedisit.
Torero nënvizoi se delegacioni prej tetë anëtarësh i Bankës Botërore është mjaft reprezentativ dhe ideja e vizitës së tij është se si ky institucion të vazhdojë mbështetjen për Kosovën.