Statuti i Komunës i është nënshtruar të enjten dëgjimit publik në pikat ku janë propozuar ndryshime dhe plotësime e të cilat i ka paraqitur Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, derisa Arben Mehmeti, kryetar i komisionit për akte statutare ka dhënë sqarime shtesë rreth punës së komisionit.
Duke i sqaruar ndryshimet e propozuara, Matoshi ka thënë se me këto ndryshime dhe plotësime parashihet themelimi i dy drejtorive të reja, përkatësisht rikthimi i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport si dhe Drejtorisë së Inspekcionit, pastaj themelimi, përkatësisht riformulimi i Zyrës së Avokatit të Komunës si dhe Zyrës së Prokurimit.
Po ashtu, janë saktësuar disa përmbajtje në statut që kanë të bëjnë me të drejtën e kryetarit të Komunës për delegimin e përgjegjësive të drejtorët dhe mbikëqyrje të këtyre përgjegjësive.
Një propozim tjetër ka të bëjë me shtimin e numrit të komiteteve, përkatësisht themelimin e Komitetit konsultativ për personat me aftësi të kufizuar.
Nga ky dëgjim publik për statutin e Komunës, ku kanë kontribuar Avdyl Aliu, Burim Berisha, Ramiz Ramadani, Nexhat Hajrullahu, Arianit Sadiku, Feim Azemi, Drita Klaiqi dhe Ramadan Mehemti, kanë dalë propozime të reja për themelimin edhe të dy drejtorive, Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Drejtorisë për Mjedis.
Meqë numri i pjesëmarrësve nuk ka qenë i kënaqshëm, por edhe për të parë se sa janë përfshirë propozimet e deritashme, Arianit Sadiku ka propozuar që të mbahet edhe një dëgjim tjetër publik.
Arben Mehmeti e Hevzi Matoshi kanë sqaruar se afati për dërgimin e propozimeve mbetet i hapur deri në miratimin e statutit dhe i ka inkurajuar qytetarët dhe grupet e interesit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi gjatë ditëve të ardhshme, qoftë edhe përmes formës elektronike, që tashmë është bërë një nga mënyrat më të preferuara të komunikimit.