Se Kisha Ortodokse Serbe është ne funksion të politikave ekspansioniste serbe në drejtim të popujve jo serb të Ballkanit, dëshmohet nga mesazhi i fundit i shpallur me 10 maj nga Kuvendi i Shenjtë i Peshkopëve, ku thuhet se “Kosova është pjesë e përjetshme e Serbisë qendrore” dhe me këtë rast ju bën thirrje zyrtarëve serb “që asnjëherë nuk duhet të japin pëlqim për tjetërsimin e Kosovës dhe Metohisë.
Shkruan: Fadil Kajtazi
Kjo deklaratë në kombinim me deklaratat tjera të zyrtarëve të lartë të Kishës Ortodokse Serbe përpos që është kërcënuese për Kosovë dhe popullatën jo serbe që jeton në Kosovë, është kërcënim për paqen dhe sigurinë e Ballkanit, nga se nga deklarata kuptohen përmasat gjeografike të pretendimeve që synon t’i realizoj Kisha Serbe.
Nëse në rrafshin gjeografik Kisha Ortodokse Serbe Kosovën e konsideron Serbi qendrore, pjesët jugore të saja përafërsisht duhet të korrespondojnë me territorin i cili është në veri e që i bie se kufiri jugor i Serbisë të jetë diku në Greqi, mundësisht në ishullin e Hilandarit.
Nëse Kisha Ortodokse Serbe në pretendimet e saja territoriale ka zgjeruar pretendimet nga “Kosova djep i Serbisë” në “Kosova pjesë qendrore e Serbisë” nuk duket të jetë rastësi. Ky pozicionim i formuluar zyrtarisht, përkon me përshtatjen e ambicieve të kësaj kishe me pretendimet ruse në hapësirat e Ballkanit.
Natyrisht, realizimi i këtyre pretendimeve nuk mund të bëhet pa ndonjë katrahurë të nivelit sirian, gjë e cila shteteve të Ballkanit nuk duhet të ju konvenonte.
Është momenti i fundit që në funksion të paqes, shtetet e Ballkanit të konsolidohen nga brenda dhe të krijojnë një aleancë klasike antiserbe për të parandaluar destabilizimin e regjionit. Konsolidim nënkupton heqjen nga pushteti të strukturave të kriminalizuara të cilat për t’i ruajtur interesat e tyre, të krijuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, kanë gatishmëri që edhe në këtë shekull t’i përgjakin popujt e tyre.