Në një ndeshje të jashtëzakonshme, Peja ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 82:76 (22:7, 29:25, 19:27, 12:17), në super derbin e javës së 21-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Takimi është zhvilluar në një atmosferë të jashtëzakonshme, me palestren ‘Karagaçi’ te stërmbushur me tifozë.
Vendasit të motivuar nga tifozët, e nisin për mrekulli ndeshjen, duke dominuar në çerekun e parë, që e fitojnë 22:7.
Megjithatë, në periodën e dytë zhvillohet një lojë më e baraspeshuar, por ‘Verdhezinjtë’ sërish e fitojnë 29:25, duke shkuar në pushim me rezultat 51:32.
Në periodën e tretë rikthehen fuqishëm Bardhekaltrit, duke afruar shifrat në 59:52, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 70:59 për vendasit.
Mysafirët në 10 minutat e fundit arrijnë të afrojnë edhe më shumë rezultatin, duke e bërë ndeshjen edhe më dramatike. Dy minuta pa përfunduar sfida, Prishtina ngushton epërsinë në 76:73, por Peja arriti të ruajë epërsinë e krijuar dhe në fund triumfoi 82:76.