Komisioni Evropian pritet që sot të publikojë Raportin e Progresit për Kosovën, me të cilin bëhen publike përparimet dhe ngecjet e Republikës së Kosovës në rrugën dhe procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kurse më 28 tetor fillon negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Atë ditë pritet që në Prishtinë të qëndrojë komesioneri për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle.
Kështu i ka thënë Radio Kosovës zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli. Kasapolli ka deklaruar se në fakt drita e gjelbër për fillimin e negociatave tashmë është dhënë. Ajo çka jemi duke bërë së bashku me Komisionin Evropian është përputhja e agjendave tona me KE me qëllim që ky proces negociator të shkojë sa më mirë që është e mundur. “Ajo çka mund të them sot është se data 18 tetor siç ishte paralajmëruar nuk do të jetë data e nisjes së negociatave për MSA-në, por do të jetë data 28 tetor”.
Sipas tij, fakti që Kosova ka përparuar në agjendën e BE-së, me fillimin e negociatave për MSA-në, me afrimin e përmbylljes së procesit për liberalizmin e vizave, është dëshmi e qartë se Kosova ka shënuar të arritura të theksuara gjatë këtij viti.