/Fjala e Arta Haziri – Nuhiu, para strukturës, anëtarëve të Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Zvicër/
Arta Haziri – Nuhiu
Të nderuar struktura dhe anëtarë të AAK-së, dega në Zvicër
Ndihem e nderuar që sot t’iu drejtohem me një fjalë rasti të pranishmëve këtu. Nuk ka ndjenjë më të mirë se sa të jem e pranishme në mesin tuaj, ju që mbajtët dhe vazhdoni të mbani në këmbë popullin dhe shtetin e Kosovës.
Djersa juaj ishte pjesë e rëndësishme e luftës për liri, dhe ishit dhe jeni domosdo pjesë po ashtu e shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Kosova ka një qeveri e cila kujdeset për qytetarin dhe përmbylljen e procesit të shtetndërtimit.
Proceset nëpër të cilat po kalon shteti ynë, dhe vendimet e marra së fundmi, si taksa ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës, janë dëshmia më e fuqishme se sa shumë i ka mungua Kosovës një lider si Ramushi.
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Haradinaj, ka arritur të krijoi partneritet serioz me shtetet më të fuqishme të botës, gjithnjë duke u sjellë si burrështetas i cili ka krijuar standard të ri qeverisës në Kosovë.
Politikat nënshtruese i kanë sjell dëme vendit tim, vendit tuaj, Kosovës sonë. Tanimë udhëheqja e re në Kosovë, na ka krijuar besimin në vetvete, besimin në shtet.
Të nderuar motra dhe vëllezër, të gjithë ju që jetoni e veproni në Zvicër, Sikur ishte krijuar një percepcion se të investosh në Kosovë, nuk ishte veprim i mençur. Sot, gjithçka është e sigurt, sepse nuk ka procedura burokratike, nuk ka veprime të jashtëligjshme dhe çdo gjë është më ndryshe se dikur. Ju e ndihmoni Kosovën dhe popullin e saj duke investuar atje.
Kemi shumë storie suksesi të njerëzve tanë që punojnë në Zvicër dhe që kanë investuar në Kosovë. Njëri prej shumë të tillëve është Fehmi Fetahu me investimet e tij në “Vali Ranch”, ku ka të punësuar afër 100 të rinj e të reja.
Si Qeveri nacionale, dhe si institucione lokale, do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të jemi krah jush gjithmonë kur ju keni nevojë. Sa herë që vini në Kosovë, i jepni gjallëri vendit tonë, i jepni jetë.
Vazhdoni të ndiheni krenar me shtetin tuaj, me Kosovën tonë!