(2LONLINE) – Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve sot përgjegjësinë e kryetarit, nënkryetarit, kryesueses së Kuvendit dhe drejtorëve të drejtorive e kanë marrë ta udhëheqin fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme për ta shënuar këtë ditë, duke u improvizuar në detyrat përkatëse të qeverisjes lokale në Gjilan.
Me këtë rast kryetari i Komunës Lutfi Haziri u ka uruar punë të mbarë për këtë ditë të sotme fëmijëve në këto detyra të reja dhe i ka informuar se ata sot i kanë të gjitha përgjegjësitë deri edhe në nxjerrjen e vendimeve dhe procedimin për ekzekutimin e tyre në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit duke e nënshkruar dhe vulosur.
Kryetare e Komunës së Gjilanit sot është Emine Haliti, kryesuese e Kuvendit të Komunës, Monika Bunjaku, nënkryetare e Komunës, Hajrije Haliti, ndërsa drejtorët e drejtorive Komunale sot janë: Drejtoria e Arsimit – Amand Bunjaku, Drejtoria e Shëndetësisë – Don Syla, Drejtoria e Administratës – Milot Stublla, Drejtoria e Kulturës – Besart Qerimi, Drejtoria e Shërbimeve Publike – Gentrit Nuhiu dhe Drejtoria e Bujqësisë – Arbnor Bunjaku.
Po ashtu, legjislatura e re e qeverisjes sot ka mbajtur edhe mbledhjen e parë të Këshillit të Drejtorëve, më ç’rast janë diskutuar projektet e ndryshme lidhur me investimet në infrastrukturë publike, strategji të arsimit lokal, shëndetësi, avancimin e administratës komunale për platformën online etj.
Kryetarja e re Emine Haliti me bashkëpunëtorët e saj, ka pritur në takim fëmijët shqiptar, të komunitetit serb, rom dhe turq si dhe fëmijët me nevoja të veçanta.
“ Të nderuar të pranishëm, 1 qershori është Dita e Fëmijëve. Unë sot jam kryetare e Komunës së Gjilanit. Është dita ku ju fëmijë të dashur, duhet ta ngrisni zërin në mënyrë që të respektohen të drejtat e fëmijëve”, ka thënë kryetarja Haliti.
Gjithashtu, sot janë paraparë vizita të ndryshme në monitorimin e punëve ne ekzekutivin e Komunës së Gjilanit dhe inspektimin e punës nëpër këto drejtori si: vizitë drejtorisë së Administratës (funksionimi i aplikmit Online të certifikatave), vizitë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, vizitë në Drejtorinë e Kulturës, seancë për të drejtat e fëmijëve – Drejtoria e Arsimit dhe vizitë në Drejtorinë e Bujqësisë. /2lonline/