Sot, e martë, Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” shënon ditën e shkollës. Kjo vatër e diturisë që ka bërë emër jo vetëm në Gjilan, Anamoravë e Kosovë, por edhe më gjerë është shembull i një shkolle me përplot suksese.
Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ka përgëzuar nxënësit, mësimdhënësit e stafin udhëheqës të shkollës në këtë ditë të shënuar, duke rikujtuar se kjo shkollë gjatë vitit 2021/2022 ka arritur suksese të lakmueshme, që gjithkënd e bëjnë krenarë.
Ja disa nga sukseset e kësaj shkolle që nga festimi i përvjetorit të vitit të kaluar:
Klubi i Teknikëve të shkollës fillimisht pati të ftuar prof. Nijazi Haziri, profesor i dizajnit të modës dhe tekstilit së bashku me nxënësen e tij tanimë specialiste e makinës së qepjes. Ata e prezantuan punën e tyre duke na dhënë kështu njohuri të reja në këtë drejtim. Më pas Klubi i Karrierës mbajti me sukses trajnimin tre ditor të programit “Fuqizo të ardhmen” nga Coca-Cola HBC Kosova në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo për të përfunduar më pas edhe një sesion tjetër efektiv atë mbi Rrjetat kompjurerike, me ligjërues studentët e rrjetave në levelin e CCNP, Mert Sylqiq dhe Jusuf Sahiti. Nuk shkuan shumë ditë dhe Klubi i Karrierës ftoi në sesion një profesor, astronom nga Shtetet e Bashkuara (Arizona) Chris Impey për të vazhduar më pas edhe me Doruntina Sylejmanin, me të cilën u diskutua rreth rrugëtimit të saj me plot sakrifica dhe mundime për të arritur në pozicionin që ka tani, për garat dhe veprimtarinë e saj si atomistë.
I ftuar në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ishte edhe dr. Xhevdet Thaqi, pro-rektor i Universitetit ” Kadri Zeka ” Gjilan e Klubi i Karrierës realizoi një sesion tjetër të suksesshëm me American Advising Center (AAC), ku nxënësit u informuan për mënyrën se si të arrijnë të fitojnë bursa të plota për studime jashtë vendit në universitetet më prestigjioze të Amerikës.
Kush nuk do të dëshironte të veshte mantelin e bardhë për t’u bërë mjek, andaj nxënësit mbajtën një sesion informativ me dr. Taulant Ramadani, doktor i Stomatologjisë. U mbajt edhe një sesion tjetër shumë interaktiv së bashku me Dekanin e Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Hazir Haziri, i cili me nxënësit ndau përvojat në karrierën e tij. Nuk shkuan shumë ditë e shkollën tonë e nderoi edhe fotografi i njohur Endrit Hoti.
Klubi i Karrierës, javën e Politikës dhe Diplomacisë e filloi duke bashkëbiseduar me Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë, shkëlqesinë e saj Znj. Shkëndije Geci Sherifi, e cila si Ambasadore e karrierës në vende të huaja si Hungaria, Kroacia, Suedia dhe në vende baltike, informoi nxënësit se si kishte arritur sukseset e karrierës së saj. Java e Politikës dhe Diplomacisë vazhdoi me sesionin diskutues ku i ftuar ishte Konsulli i Republikës së Kosovës në IOËA, ShBA, Artan Duraku.
Klubi Karrierës mbajti sesionin informues me znj. Selvete Sylejmani, Drejtoreshë e DKA-së e cila erdhi si e deleguar e kryetarit te Komunës, z. Alban Hyseni.
E në Javën e Shkencës e ftuar ishte Drejtoresha Ekzekutive e BIRN, znj . Jeta Xharra e Klubi i Karrierës e përmbylli me sukses Muajin e Karrierës me një sesion të mrekullueshëm me dy trajnerët e fitnesit, z. Rinor Behluli dhe znj. Nagjije Selimi.
Në Klubin e Drejtësisë mysafir i veçantë ishte Afrim Shala, kryetar i Gjykatës së Apelit, Klubi i Karrierës pati të ftuar profesoreshën e Gjuhës Shqipe, Shqipe Sjiarina – Jakupin e më pas edhe MSc. Taulant Ymerin – TLP Scholarship Alumnus dhe Senior Inxhinier Softueri, i cili foli për rrugëtimin e tij, për përparësitë dhe mangësitë e profesionit të tij, për universitetet publike dhe private të cilat ofrojnë programe studimi disa vjeçare në Bachelor dhe Master, si edhe arsyet se pse ne duhet të zgjedhim këtë profesion.
Klubi i Drejtësisë ka vazhduar me aktivitetet e tija, duke patur të ftuar prokurorin e njohur gjilanas Isuf Sadikun, për të vazhduar me pas edhe me zëdhënësin rajonal të Policisë së Kosovës, togerin Ismet Hashanin. Pak ditë më pas, Klubi i Drejtësisë i bëri një vizitë Policisë Rajonale në Gjilan, ku nga afër janë njohur me punën e policisë.
Gjenerata e maturantëve 2021/2022, shkaku i pandemisë, ndryshe nga herët tjera ka realizuar në ekskursion njëditor nëpër Shqipëri, kurse pak ditë më pas ish-profesori i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, Safet Rexhepi ka promovuar librin “Kuizi i Gjeografisë në Gjimnazet e Gjilanit dhe të Kamenicës (1987 – 2017)”.
Në kuadër të projektit “Teen4Justice” nxënësit tanë dhanë dy shfaqje atë “Veni, vidi, vici” dhe “Aranea”, gjë e cila bëri që Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” të shpallet më i miri në këtë projekt – sfida e Teatrit Ligjor.
Në kuadër të Javës së Psikologjisë është organizuar një shëtitje në natyrë të organizuara nga profesoresha e lëndës së psikologjisë Vjollca Zymberi në bashkëpunim me psikologen e shkollës Kaltërina Jetishi. “Java e Psikologjisë” u përmbyll me tri tema të prezantuara nga nxënëset tona.
Suksese të mëdha janë arritur në garat sportive. Shumë medalje, kupa, diploma e mirënjohje shkëlqejnë në vitrinat e shkollës që janë fituar nga nxënësit tanë. Djemtë dhe vajzat e shkollës sonë kanë zënë vendet e para në garat rajonale në basketboll e vajzat e drejtuara nga profesori Selami Haziri për të dytin vit me radhë u shpallën kampione të Kosovës për cka me mirënjohje ato i nderoi edhe Drejtoria e Arsimit.
Nxënësit e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” ishin të parët në garat komunale të shahut, më pas në ato rajonale dhe kombëtare dhe ishte kjo arsye që djemtë e vajzat që udhëhiqeshin nga profesori Blerim Shala të marrin pjesë në Ballkaniadën e Sportit Shkollor në Ohër, ku nxënësja Lena Osmani u shpall nënkampione ballkanike në pingpong, derisa Alp Sahiti dhe Melisa Fetahu u stolisën me medalje të bronzta. Nuk kanë munguar sukseset as në futsoll dhe sporte të tjera.
Në vigjilje të Festës së 28 Nëntorit nxënësit tanë kanë organizuar një program të pasur kulturore –artistik, në shkollë u themelua edhe Grupi Shkollor për Siguri, ku u organizuan trajnime të ndryshme mbi këto tema: bullizmi, paragjykimet, stereotipet, lajmet e rrejshme, etj.
Suksese të mëdha arritën edhe Kimistet e reja, që ishin fituese të projektit “Laboratori i yt”, të udhëhequra nga profesori Islam Zuzaku. Pati edhe aktivitete humanitare me aksionin “Të dhurosh nuk të varfëron”, pastaj aktivitetin e artit pamor “Art në maskë!”, të udhëhequr nga profesoresha Magbule Xhemajli.
U shënua edhe “14- VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS”, pastaj u mbajt një terapi grupore “Cilin profesion të zgjedhim në të ardhmen”, Nxënëset e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” prezantuan eksperimentin “Krijimi i pasqyrës së Argjendit”.
Në lëmin e matematikës, të udhëhequr nga profesori Festim Shkodra, nxënësit tanë ishin më të suksesshmit në “OLIMPIADËN MATEMATIKE TË GJILANIT 2022” dhe nga ku dy nxënës të shkollës sonë morën pjesë në “GARËN NDËRKOMBËTARE TË MATEMATIKËS IMO 2022 NË NORVEGJI”, ku nxënësit tanë Lum Jerliu dhe Yllkë Jashari kanë fituar mirënjohje nderi”.
Nxënësja e jonë Elsë Kqiku, është nderuar Certifikatë ndërkombëtare nga “GARAT E OLIMPIADËS BOTËRORE TË FIZIKËS NË LITUANI”.
Së fundmi Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” ishinm pjesë e Kampit Veror Ndërkombëtar në Prizren, të udhëhequr nga profesoresha Kimete Kamberi e Nxënësit e shkollë sonë Yllka Jashari, Lum Jerliu dhe Elsa Kqiku ishin pjesëmarrës në ceremoninë solemne të organizuar nga MASHTI, ku u ndanë shpërblime dhe mirënjohje për nxënësit e talentuar që kanë korrur sukses në garat e fizikës dhe matematikës në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Nxënësit e shkollës sonë së bashku me Profesorin Pajtim Vela, fituan vendin e dytë në nivel të Kosovës në garën “Sfida e dizajnit”, e organizuar nga programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” – ASSET dhe IPKO Foundation.
Shkolla e jonë, që është përfaqësuar nga drejtori Bekim Mustafa është binjakëzuar me Ataşehir Rotary Anadolu Lisesi në Turqi. Mustafa ka thënë se të gjitha këto takime kishin për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit reciprok dhe të mirëkuptimit të përbashkët, me qëllim që forcohen lidhjet e vëllazërisë dhe miqësisë mes këtyre dy institucioneve arsimore. Është arritur marrëveshje që këto shkolla të bashkëpunojnë në kuadër të legjislacionit aktual dhe kurrikulës arsimore të dy shteteve, sikurse që në të ardhmen të ketë vizita të ndërsjella arsimore dhe kulturore të nxënësve e mësimdhënësve me qëllim të ndarjes së praktikave të mira në arsim dhe të krijimit të një rrjeti të komunikimit.
Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” është pasuruar me teknologji bashkëkohore dhe me mjete të tjera të konkretizimit.
Gjatë këtij viti, nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” janë pensionuar profesorët Mefail Mustafa dhe Zizë Ismajli, derisa me kolegët është përshëndetur edhe Leonora Morina – Bunjaku e cila për katër vitet e ardhshme do të jetë zëvendëskryetare e Gjilanit.
Të gjithë nxënësve, mësimdhënësve, stafit udhëheqës dhe prindërve u urojmë 25 tetorin, Ditën e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”. /2LONLINE/
Për të parë foto nga të gjitha këto suksese të ksaj shkolle kliko më poshtë: http://xhavitahmeti-gjimnazi.com/sot-gjimnazi-natyror-xhavit-ahmeti-shenon-diten-e-shkolles/