Sot është dita e fundit ku Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, duhet të vendosin për ta nënshkruar ose jo draft-marrëveshjen e Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë që kjo e fundit të jetë pjesë e Qeverisë së re.
Vetëvendosje kërkon që kjo draft-marrëveshje të nënshkruhet. Për këtë arsye, palët do të diskutojnë edhe sot deri në mbrëmje.
Këto janë kërkesat që VV kërkon të jenë në letër.
I.Dialog parimor, kualitativ dhe të përgatitur mirë i cili nënkupton:
1)Vlerësimin e dialogut të deritashëm më Serbinë të zhvilluar gjatë viteve 2011-2014 përmes një komisioni hetimor parlamentar:
2)Dërgimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venedikut për vlerësimin e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe përputhjes së saj me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut:
3)Fillimin e dialogut me Departamentin për Zgjerim të Bashkimit Evropian për obligimet e Kosovës në procesin përmbajtjesor integrues drejt anëtarësimit të plotë në BE, duke përfshirë këtu edhe dialogun më BE-në për dialogun me Serbinë:
4)Lëvizja Vetëvendosje merr përsipër të udhëheq procesin e dialogut:
5)Vendimet për çështjen e dialogut merren përmes mekanizimit të konsensusit të të katër subjekteve politike nënshkruese të kësaj marrëveshje.
II. Zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e kualitativ e i cili nënkupton:
1)Vlerësimin e tërë procesit të privatizimit përmes krijimit të një komisioni hetimor parlamentar:
2)Investimin në rritjen e vlerës së Trepçës (së cilës i dedikohet një ligj i posaçëm) si dhe të KEK-ut e PTK-së:
3) Vendimet për këta gjigandë ekonomikë të Kosovës dhe për privatizimet e mundshme në të ardhmen merren përmes mekanizimit të konsensusit të të katër subjekteve politike nënshkruese të kësaj marrëveshje.
III. Luftimi i Korrupsionit dhe krimit të organizuar e i cili nënkupton:
1) Sundimi i ligjit nuk negociohet. Ligjet do të zbatohen me përpikëri dhe përkushtim nga të gjithë zyrtarët e secilit institucion shtetëror:
2) Korrupsioni do të luftohet çdo kund e tërë kohën, duke filluar aty ku është më i larti dhe më i rëndi. Do të aprovojmë ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ligjin antimafia dhe ligjin antikorrupsion:
3) Agjencionet e pavarura shtetërore dhe ndërmarrjet publike do të çlirohen nga militantët dhe agjent partiakë.
Pas dy viteve të kësaj Qeverie të re, subjektet nënshkruese të kësaj marrëveshjeje do të ulen për të vlerësuar nëse janë arritur objektivat dhe janë plotësuar kushtet që vendi të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike