Shqipëria U21 dhe Kosova U21 zhvillohet të martën (sot, 19:00) në Elbasan. Do të ketë angazhim e dëshirë të madhe për sukses. Të dyja palët i kërkojnë tri pikët.
Shqipëria e Kosova, në nivel të shpresave (U-21), do të luajnë ndeshjen e parë kualifikuese mes vete. Ndeshja e përfaqësueseve të dy vendeve shqiptare është e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2021” në futboll për 21-vjeçarët.
Aktualisht, Kosova qëndron dukshëm më lart se Shqipëria në grup. Nga tri ndeshje i ka mbledhur 6 pikë dhe renditet e treta. Shqipëria i ka katër ndeshje dhe vetëm dy pikë. Renditet e pesta, përkatësisht e parafundit.
Të dyja ekipet shqiptare ndeshjen në Elbasan e shohin si rast të mirë për kthim në rrugën e duhur. Kosova fillimisht kishte fituar 4:0 ndaj Andorrës në udhëtim e më pas 3:1 ndaj Turqisë në Prishtinë.
Ndërsa, më 9 shtator pësoi 2:0 nga Anglia në Hull, në një ndeshje ku pati paraqitje solide. Shqipëria ka pësuar fillimisht 2:1 në shtëpi nga Turqia e më pas barazoi 2:2 me Andorrën në udhëtim.