/2L ONLINE/ – Sonte në Gjilan, në ora 21:30, në qendër të qytetit, në hapësirën përball Hotel Kristalit, nis Java Humanitare e Filmit që organizohet nga Qendra e Aktivizimit të Rinisë (Youth Activism Center – YAC) në bashkëpunim me Njësinë për Kulturë, Rini dhe Sport (NjKRS) në kuadër të Ditëve të Diasporës.
Mejdi Sadiku nga Qendra e Aktivizimit të Rinisë tha se Gjilani si qytet me traditë të gjatë, kohëve të fundit ka mungesë të dukshme të aktiviteteve kulturore. Me mosfunksionimit e Kinemasë, ky pasivitet vërehet edhe më tepër. Për ta ngjallur kulturën e filmit dhe njëkohësisht meqë jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, t’i ndihmojmë familjet skamnore, do ta mbajmë Javën Humanitare të Filmit.
“Java Humanitare e Filmit do të mbahet në datat 12-15 Korrik, përkatësisht nga dita e Diel më 12 Korrik, deri të Mërkurën më 15 Korrik, ku çdo natë nga ora 21:30 në hapësirën afër rrethit, në qendër të qytetit, në ambient të hapur, do të bëhet shfaqja e filmave shqip, filma të rinj të cilët kanë fituar çmime të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, për ta bërë humanitare këtë eveniment, paratë e grumbulluara nga hyrja e cila do të kushtojë 0.50 €, në natën e Bajramit, do të blihen produkte bazike ushqimore për familjet që kanë nevojë, në mënyrë që edhe ata t’i gëzohen Bajramit. /2L ONLINE/