Pas një ndeshje fenomenale që e pati ditë më parë Kombëtarja e Kosovës e cila mposhti me rezultat të thellë Burkina Faso, sotne do ta zhvillojë miqësoren tjetër, por tani me një përfaqësuese shumë të fortë, atë të Zvicrës, e cila e bënë këtë miqësore edhe vëllazërore për faktin se te helvetikët luajnë edhe lojtarë shqiptarë.
Kjo miqësore pritet të jetë një festë futbolli, për faktin se, ndonëse Kosova luan jashtë vendit do të ketë përkrahje të madhe nga tifozeria për shkak numrit të madh të bashkëatdhetarëve tanë të cilët do të jenë në stadium.
Përndryshe, Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit para kësaj ndeshje dhe të gjithë futbollistët e kombëtares sonë janë të gatshëm për ta dhënë maksimumin.
Përndryshe, siç bënë të ditur FFK-ja, përzgjedhësi Alain Giresse dhe futbollisti Florent Hadërgjonaj janë paraqitur në konferencë për media, ku kanë dhënë opinionet e tyre lidhur me këtë përballje.
Giresse e ka vlerësuar Zvicrën si njërën nga pesë kombëtaret më të mira evropiane, por ka thënë se i ka marrë të gjitha masat me ekipin që t’i bëjë ballë këtij kundërshtari.
Ndërkaq, mbrojtësi i majtë i Dardanëve, Florent Hadërgjonaj ka thënë se në këtë ndeshje duan t’i tregojnë vlerat dhe formën e mirë. Ai ka thënë se Kosova ka kapacitet për të fituar edhe ndaj Zvicrës.
Kosova këtë miqësore kundër Zvicrës e luan në stadiumin “Letzigrund Stadion” në Cyrih. Ndeshja nis në orën 18:00. /2LONLINE/