/2L ONLINE/ – Për ata që e njohin mirë historikun e pluralizmit politik në Kosovë, nuk është e vështirë për ta kuptuar realitetin politik të ditëve të sotme vendin tonë. Hapja e proceseve demokratike në fillimvitet e ’90-ta shënon edhe fillimin e sistemit plural në Kosovë.
Dalja në skenë e partisë së parë politike në 23 Dhjetorin e vitit 1989, pra të LDK-së, shënon ndarjen nga sistemi monist dhe kalimi në atë plural. Rrethanat e atëhershme kohore dhe politike, bënë që LDK-ja, për më tepër se parti politike, kishte marrë karakterin e një Levizje Popullore, si një front i përbashkët i rezistencës aktive paqësore karrshi një represioni permanent të regjimit okupues të Serbisë.
Për t’i dhënë ngjyrë pluralizmit politik në Kosovë, në pjesën e dytë të viteve të ’90-ta themelohen edhe dy-tri parti politike, të cilat më tepër shërbenin si dekor i proceseve demokratike, duke vepruar në një linjë të përbashkët me LDK-në.
Përkundër përpjekjeve të mëvonshme të disa figurave eminente dhe me ndikim, për krijimin e një fronti opozitar, me themelimin e dy subjekteve me programe dhe opcione të kundërta politike, dështuan në qëllimet e tyre për thyerjen e frontit të përbashkët të levizjes paqësore demokratike shqiptare.
Në prag të luftës çlirimtare, fillojnë të rriten kontradiktat në mesin e popullatës
Edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme të presidentit historik Ibrahim Rugova drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për njohjen formale të pavarësisë së 2 Korrikut 1990, njohjes së kushtetutës së 7 shtatorit po të njëjtit vit, si dhe të njohjes së vullnetit plebishitar të popullatës shqiptare të shprehur në Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, mbajtur nga data 26-30 shtator 1991. Mirëpo, për fat të keq kërkesat e vazhdueshme të Rugovës hasën në vesh të shurdhër të zyrtarëve të kancelarive më të larta botërore.
Si pasojë e kësaj situate dhe rritjes së represionit dhe agresionit serb ndaj popullatës civile shqiptare, shtrohet nevoja e organizimit në forma të tjera për mbrojtjen e pragut të shtëpisë (siq e thoshte Rugova) dhe nderit dhe dinjitetit kombëtar (siq e vlerësonin drejtuesit e rezistencës së armatosur).
Për faktin se rreshtat e fundit kërkojnë elaborim më të gjërë dhe më përmbajtësor, kësaj radhe po i kthehem temës në fjalë.
Pas përfundimit të luftës, fillon një epokë e re në jetën politike kosovare. Krahas LDK-së dhe partive minore ekzistuese, linden edhe dy parti të reja politike të krahut të luftës (PDK-AAK), jo si rrejdhojë e unitetit por si pasojë e fraksioneve të shfqaura nga koha e luftës çlirimtare mes drejtueseve ushtarak.
Elektoratet e këtyre dy partive politike nuk pikën nga qielli, por u shkëputën nga LDK-ja, disa të pakënaqur e më tepër të frustruar nga propaganda antirugoviane e disa subjekteve të dala nga lufta, e në veqanti të PDK-së, të cilët nuk e njihnin asokohe institucionin e presidentit të shtetit për të cilin “luftuan”!
Jo vetëm PDK e AAK, por edhe shumë të tjera që mbinën si “kërpudhat pas shiut” pas lufte, e shkëputën nga një pjesë të elektoratit të LDK-së.
Megjithatë, sa ishte gjallë lideri historik Ibrahim Rugova, LDK-ja në zgjedhjet nacionale dhe lokale peshonte më rëndë se të gjitha partitë tjera shqiptare.
Me shkuarjen e në amshim të Rugovës, akrepat e orës së LDK-së u kthye së numëruari mbrapsht.
“Kuvendi i karrigëve”, përveqse e ndau në dysh partinë (LDK-LDD), akrepat e orës rugoviane u kthyen mbrapsht për 180 gradë,…një pjesë e konsiderueshme e elektoratit dhe aktivistëve të saj të lartë kaluan nëpër parti të tjera, në veqanti në AAK, dhe atë për një arsye të vetme, për faktin se ishte intervenimi i liderit të AAK-së, zotit Haradinaj në SHP të TMK-së, që bëri të mundur ceremoninë e varrimit të presidentit Rugova me nderime të larta ushtarake, gjë të cilën e kishin pamundësuar militantët e PDK-së!
Rënja e LDK-së nuk përfundon me kaq, pas katapultimit të Isa Mustafës në kreun e kësaj partie në vitin 2010, edhe përkundër bashkimit me LDD-në e Dacit nuk arriti të shënoj ngritje,…e në veqanti pas kuvendit të VIII-të zgjedhor të 31 Majit 2015, ku përfundimisht Isa Mustafa me sejmenët e tij e varrosën dhe dërguan në përjetësi frymën rugoviane brenda këtij subjekti politik, duke instaluar dhunën dhe diktaturën tipike komuniste dhe jo vetem kaq,…karrieristët, linçuesit, faqezinjët, njerëzit e pabesë shkelën mbi gjakun e veprimtarëve të LDK-së rugoviane,…matrapazët politik, hajdutët dhe kriminelët e maskuar nën petkun e demokracisë, mjeranët dhe servilët e fëlliqur e tradhëtuan një popullat të tërë për hirë të interesave të tyre të ngushta personale.
Pavarësisht rezultateteve të sondazheve të fundit, dhe pavarësisht faktit a janë reale apo imagjinare, sondazhe të lira apo me porosi,…elektorati i LDK-së pas 31 Majit 2015 ka levizur me të madhe në drejtim të partive të tjera.
Pavarësisht faktit, pse lideri i LDK-së dhe sejmenët e tij nuk dëshirojnë ta pranojnë këtë fakt, janë me dhjetëra raste të ish veprimtarëve të LDK-së që kanë deklaruar publikisht argimin nga kjo parti, qoftë edhe përkohësisht derisa në krye të saj të jetë Isa Mustafa.
“Elektorati ynë është i disiplinuar dhe ai nuk lëvizë”, deklaroi një dorë e zgjatur e Isa Mustafës, duke u munduar të mohoj realitetin e hidhur brenda LDK-së, duke e harruar logjiken e thjeshte; “Një parti, e cila e humb besimin në popull nuk mund të ketë rritje të elektoratit”.
Sondazhet gjithnjë bëhen në prag të zgjedhje, e me gjasë ato nuk do të vonojnë shumë dhe e vërteta do të dali në shesh. Pa dashur të flas në mënyrë hipotetike për përqindjet dhe cilat do të jenë dy partitë e para, një gjë është e sigurtë, LDK-ja nuk do të jetë në mesin e dy të parave, mbase do të gjendet mes vendit të tretë dhe katërt të renditjes pas procesit zgjedhor.
Se cila parti ka shënuar ngritje e cila rënje të elektoratit gjatë këtyre viteve të fundit, do të jetë elektorati, ai që do t’ua jepë përgjigjën e merituar të gjithë “rrahagjoksëve” të partive politike./2L ONLINE/