“Historia e shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët” –Ukshin Hoti
Kombi shqiptar, gjatë gjithë historisë së tij të lavdishme i ka dhënë emra të mëdhenj në të gjitha lëmitë, jo vetëm vetes por edhe njerëzimit. Në të gjitha rrethanat, në të gjitha netët e errëta të kombit tonë, kanë dalë njerëz të mëdhenj që kanë ndriçuar rrugën e gjatë të shqiptarëve drejt lirisë. Një nga këta kolos shqiptar është edhe Ukshin Hoti.
Nga: Izmi ZEKA
Sado që të mundohesh të shkruash për Ukshin Hotin, për të kurrë nuk do të thuhet e tëra. Në fakt është e vështirë nga të fillohet të thuhet diçka për Ukshin Hotin. Ai ishte profesor, ishte shkrimtar, ishte filozof, ishte intelektual, ishte atdhetar, ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare… Në të gjitha këto lëmi ai ishte në mesin e më të shquarve. Pra, një personalitet kompleks dhe shumëdimensional. Duke jetuar në një kohë të vështirë për popullin tonë në Kosovë, intelektuali i madh Ukshin Hoti, nuk kishte se si të mos ishte pengesë për armikun.
Ukshin Hoti ishte arrestuar disa herë për aktivitetin e tij atdhetar në Kosovë nga regjimi serb por së fundi arrestohet në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të aktiviteteve armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjet për Republikën e Kosovës dhe më pas dënohet 5 vjet burg. Ishte dënim për të ndal fjalën e lirë dhe jo vetëm kaq për të mbyllur idenë e shtetëformimit dhe politikën aktive drejtë finalizimit me mjetet që i kërkonte koha.
Ukshin Hoti në fjalën e tij dy orësh para trupit gjykues serb, më 29.09.1994 shpërfaqi edhe njëherë hapur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe atë në gjeopolitkën evropiane. Ai ndër të tjera para gjykatës thekson po citoj: “Ju të gjithë e dini se Republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se Republika e Serbisë de facto e njeh. Asnjëherë nuk kam pohuar se unë jam i pari dhe i vetmi që e kam kërkuar atë. Kontributi im në lindjen e Republikës së Kosovës konsiston në dhënien në atë kohë të arsyetimit komplet dhe definitiv politik për nevojën e konstituimit të saj në suazë të RSFJ-së së atëhershme. Këtë e kam bërë vetë dhe plotësisht i pavarur nga të tjerët, për të cilët madje as që kam ditur se kanë punuar rreth kësaj çështjeje”
Fillimi i bombardimeve të NATO-së kundër ish-Jugosllavisë Ukshinin e gjeti në burg. Më 16 Maj te vitit 1999 pasi kishte mbaruar vuajtjen e dënimit ai kinse lirohet nga burgu, por prej asaj dite nuk u gjet asnjë shenjë e tij. Regjimi serb nuk mund ta linte të lirë strategun Ukshin Hoti aq më parë kur Kosova digjej nga lufta.
Ukshin Hoti, edhe sot e kësaj dite, figuron në listat e personave të pagjetur të luftës. Por, zhdukja, eliminimi apo vrasja e tij, pra çfarëdo që t’i ketë ndodhur atij, jo që e zbehën dhe e qitën në harresë, por përkundrazi atë e lartësuan në piedestalin e burrave të mëdhenj të kombit tonë.
Ukshin Hoti, si rrallë ndonjë intelektual tjetër shqiptar, i ka definuar në mënyrë të përkryer idetë e tij politike e filozofike. Ai ka folur për të kaluarën tonë, por ka parashikuar me përpikëri edhe të ardhmen e popullit të tij. Në kohën kur Kosova lëngonte nën robërinë serbe Ukshin Hoti shprehej: ”Populli shqiptar niset nga besimi i plotë se është popull i Evropës, njëri ndër më të vjetrit, dhe se parimet që do të vlenin për të tjerët do të duhej të vlenin edhe për të…“
Pra, ky intelektual i madh, kur Evropa bënte sehir dhe vetëm me deklarata dënonte atë që ndodhte në Kosovë e thoshte troç se ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa që e kanë të tjerët, popujt tjerë të Evropës. Shqiptarët duhet të jetojnë dhe t’i preferojnë vlerat e një bote me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njëjta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre origjinale. “Kombi Shqiptar po e përjeton në imagjinatë atë që kombet tjera e kanë realizuar prej kohësh. Po duke qenë një komb si të gjitha kombet tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka vetëm në imagjinatë”.
Ky ishte kushtrimi i intelektualit të madh Ukshin Hoti, në kohën e hamendjeve tona, në kohën kur derisa vuante Kosova, një pjesë e shqiptarëve, pra edhe një pjesë e udhëheqësve tanë politik të kohës, mendonin se Kosova do të çlirohej vetëm nga fakti se ne e donim lirinë. Por, ashtu siç edhe u dëshmua në praktikë Kosova nuk u çlirua nga lutjet e as nga thirrjet paqësore, sepse ne kishim të bëjmë me një armik që nuk përfillte arsyen. Pra, nga “imagjinata” që e thoshte Hoti, patjetër duhej të ktheheshim në realitet. Dhe këtë e bënë djemtë e burrat e Kosovës, që lanë “imagjinatën” me një anë dhe iu kthyen krismave të lirisë, të cilën liri për fat të keq ai nuk arriti ta shihte.
Në fakt, është një çështje e pranuar tashmë ndër të gjithë shqiptarët, se Ukshin Hoti, mbetet një simbol i vetëdijes e i ndërgjegjes shqiptare. Ukshin Hoti është simbol i vetësakrifikimit për hir të kombit të tij, për hir lirisë së popullit të tij.
Për këtë kolos të mendimit e veprimit politik shqiptar e ka thënë aq bukur Ismail Kadare: “Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir… Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme.” Ai si duket u godit fort duke menduar se princin e shembën. Fizikisht ai u tret por qasja e tij politike ,filozofike dhe intelektuale u shndërruan në rrugën prej nga duhej të ecte populli shqiptar dhe jo vetëm shqiptarë.
Ukshin Hoti ndërtoi filozofin politike që tek shqiptarët më herët shihej në shumë ngjyra dhe pa qartësi në organizimin strukturor të saj.
Recenzenti Moikon Zeqo shkruan në parathënie “Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit. Ai vazhdon më tutje “Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota evro-amerikane nuk duhet t’i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë”. Ekzakt e analizuar filozofia e mendimit politiik të Ukshin Hotit nga Moikom Zeqo. Më shumë se njerëzit e kohës apo modelit Ballkanik e evropian Ukshin Hoti është i vetëdijshëm për rrethanat politike që po mbretërojnë në Ballkan e më gerë. Ka njohje të thellë për tragjiken shqiptare gjatë gjithë historisë. Në mënyrë indirekte thumbon marrëzitë e shekullit XX apo edhe liderëve të tyre.
Në një mënyrë Kadare qartë thekson se Koha nganjëherë i hanë princat e vetë. Dhe ky princ jetoi në kohën e ndryshimeve të mëdha në Ballkan e më gjerë. Princat e tillë të rrallë në histori shpërthejnë ortekun edhe kur kemi uragan ata mbijetojnë me të bëmat dhe artin e shkruar e të lënë milionave në memorje dhe duar të tyre.
Në tezën bashkimi kombëtar si e drejtë ai shkruan “Bashkimi kombëtar kurrë nuk duhet të vullnetohet dhe argumentohet si çështje force dhe muskujsh, por gjithmonë si e drejtë. Bashkimi kombëtar nuk është një “kundër”, por gjithnjë “për të mirën e ”. Madje edhe gjermanët kur u bashkuan, nuk rrihnin gjoks, por e argumentonin bashkimin e tyre në funksion të forcimit të Evropës. Bashkimi shqiptar nuk duhet të bëhet për inat të të askujt, por për shkak të së drejtës së shqiptarëve. Neve nuk na konvenon xhungla. Neve na duhet paqja dhe Evropa” Mund të themi se është profetike, dialektike që as kush më mirë nuk e trajton bashkimin kombëtar si e drejtë e shqiptarëve në Ballkan. E thënë me zgjuarsi pikëpamje të drejtë peshuar në kohën e ndryshimeve Evropiane dhe natyrshëm në një Evropë të bashkuar shqiptarët pa qenë rrahagjoksë të realizojnë ëndrrën shekullore bashkimin kombëtare.
“Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”është program shkencor ,filozofi mbi bazën e politikës së kohës e përtej. Është histori, përjetim, rrugëtim disidencë në kohën kur Kosova ishte margjinalizuar dhe kërkonte zgjidhje.
“Lufta e kombit shqiptar për liri nuk ka pse të instrumentalizohet si një luftë me terma fetarë midis kristianizmit ortodoks serb dhe muslimanizmit fundamentalist shqiptar. Kjo gjë është një absurditet. Te shqiptarët, ku ekziston një pluralitet feshë, nuk ka ekzistuar ndonjëherë një fetarizëm i lidhur me qenien etnike. Fundamentalizmi fetar për shqiptarët është një shpikje idiote dhe e kotë”. Edhe sot kemi “doktrina” te tilla që ua mveshin shqiptarëve.Me të drejtë i bënë përshkrim qenies shqiptare , dualitetit fetar , kulturës së gjërë që mundoheshin në emër të fundamentalizmit t’ia mveshnin luftën çlirimtare, idenë idealin e saj të pastër Evropian.
Ukshin Hoti dimensionohet si kreator i politikës moderne të fund shekullit XX.
Prometheu i kohërave moderne ndërtoi doktrinën politike përtej filozofisë shqiptare duke e baraspeshuar me civilizimin evropian. Politikën si art të së mundshmes ai e zbërtheu deri në imtësi që për kohën disidenca e tij ndeshej me politikën e heshtjes, pushtetin serb dhe politikat ballkanike shoviniste.
Kadrush Radogoshi shkruan:
“Apologjia e Sokratit antik dhe Apologjia e Sokratit shqiptar të njohur me emrin Ukshin Hoti janë identitike. Anitët, Meletët dhe Likonët pas 24 shekujsh nuk ishin vetëm serbë, por edhe shqipfolës dhe mjerë shqipja, që e flasin edhe njerëzit e tillë”! Kishte diçka të përbashkët mes Sokratit antik dhe Sokratit shqiptar por tani i kohërave moderne.
Edhe pse Sokrati shtypej ai mbetej prapë Sokrat i një shekulli apo fund shekulli të XX të marrëzisë Evropiane
Fjala e Ukshin Hotit para trupit gjykues kur harta Evropiane po ndryshonte u kthye në kritik,mesazh,forcë dhe e drejtuar jo vetëm nga ata që shtypnin qenien shqiptare por edhe nga ata që i shërbenin pa vetëdije pushtetit serb .Historia po përsëritej e Sokrati assesi të thyhej. Edhe Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi e shumë të tjerë u vranë nga dora e egër shqiptare.
Ai kishte një rrugëtim që ende se kish mbaruar dhe për këtë ai ndjehet keq si i burgosur por asesi për filozofin dhe idenë për ti shkuar deri në fund rrugëtimit historik.
Shpërfaqi hapur se cilët janë ata që po e mbyllin fizikisht njeriun e përmasave evropiane ku thekson para gjyqit serb në Prizren (citoi): “Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s’mund të qëndrojnë absolutisht …” – përfundon citati.
Çfarë të thuash kur vetë Ukshin Hoti drejton gishtin nga ata që po mbyllnin fjalën e lirë, demokracinë aq shumë të proklamuar nga vetë profesori po e mbyllin disidentin aq të nevojshëm për kohën dhe gjerësinë intelektuale që kishte e ndoshta koha nuk e kuptoi drejt.
Sa ishte i burgosur Ukshin Hoti Rexhep Qosja thekson po citoj:
“Ukshin Hoti – ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij”
Për të vlerësuar figurën e Ukshin Hotit duhet hulumtim i gerë por këtë shkrim modest po e përmbylli me një fjali të tij” « Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA.
Mjafton me kaq për të parë se arkitekti i Shqipërisë moderne ishte i përmasave botërore. Në një kohë kur ai mund të zgjidhte çfarë të donte, të mbetej në SHBA apo Evropë e kudo por zgjodhi rrugën dialektike, filozofike të etërve të tij. Intelektuali i përmasave të tilla politikën si nocion e ktheu në të mundshme, të arritshme, të prekshëm dhe në fund të realizueshme. Në shpirt i butë, i edukuar për të qenë i lirë si të tjerët i lindur për tu përball me egërsinë, pabarazinë. /2LONLINE.com/