(Sabit Rrustemi: “Grafite nënlëkurore”, editoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, mars 2015)
Zejnepe Alili – Rexhepi
/2L ONLINE/ – Vëllimi më i ri poetik “Grafite nënlëkurore” i poetit gjilanas, Sabit Rrustemi, është formësuar mbi arkitekturën e përditshmërisë, qoftë si rrjedhë frymëzimi, që reflekton lirizëm ndjesor me ndërthurje vlerash estetike, qoftë me rezonanca të thekshme filozofike, me thellësinë e përshkrimit faustian, për të pohuar bindshëm: “brenda meje kanë zënë vend do gjëra/ që as shiten as blihen”. Në vargje, rrëfehet shpirti me ritme parandjenjash se kaosi në vargje lind nga kaosi në shoqëri! E pastaj, ato shpërndajnë mesazhe që shkrepen si rrufetë e gjëmat e shpirtit.
Në dilemat e shumta të përditshmërisë së trazuar, poeti ndihet ngushtë brenda zhgunit të fatit, të njeriut – Njeri, andaj për të kërkon më shumë hapësirë lirie se sa që i lejon pozita shoqërore. Bashkëpërjetimi i këtij fati, e bën poetin narrator kryesor, duke i mundësuar krijimin e një modus-i të veprës së vet.
“Miqtë njihi edhe nga fjalët
edhe nga veprat
jo për t’u bërë kopje e tyre
po për ta ruajtur origjinalin
brenda vetes sate
në daç për të mbetur Krijuesi
e jo Imituesi”.
Sabit Rrustemi është poet me vizion të qartë që e sendërton vargun plot sarkazëm, përmes të cilit i nënqesh aktualitetit dhe rregullave fikse, megjithëse në to përthyhet bota e folësit lirik kur vërshojnë stuhitë e dhembjes dhe shpirti i poetit dallgëzohet, si trazimet zeusiane. Në këto përvijime parregullsish, megjithatë është i kujdesshëm, sikurse Heminguej, që dikur për “Paris Review”, deklaroi: “Përherë synoj të shkruaj në parimin e akullnajës…, 7/8 janë nën ujë”. Kjo, i jep edhe universalitet kuptimësish veprës së tij, duke e bërë gjithmonë kërkuese, të dëshirueshme. Edhe pleksjet e aktualitetit të ngjarjeve në “Grafite nënlëkurore” ngrihen si piramidë mbi ca përsiatje historish të kaluara, ku poeti vijon të mbetet brenda shtjellës së interpretimit, teksa vetëdijshëm shprehet: “Heshtja nuk është ushqimi im i preferuar”. Me këtë, synon që ta zgjerojë horizontin e lirisë së shprehjes.
Tok me poetin, edhe ëndrra e njeriut përthyhet, si malli që rrëfen mbi vetminë dhe ndonjë ngasje të brendshme, derisa ndihet zëri apologjik që buron nga thellësitë ndjesore. Kryesisht nga kjo, edhe bëhet përzgjedhja e lëndës frymëzuese, ku dukshëm ndeshet rebelimi i brendshëm në përplasje me perceptimin e jashtëm. Veçmas, me politikën hipokrite as që do të vërë aleanca…, asaj nuk i lë mundësi as për katarzë. Ngarkesat e tilla emocionale nuk vijnë si perëndim ndjenjash, por si sfidë nismash të reja.
Megjithëse, tejet diskret, poeti lë shteg njohjesh drejt botës së tij, për të veneruar mbi dilemën hamletiane e absurdin kafkian përballë shoqërisë. Tërë këto, të artikuluara artistikisht, si një idilë stinësh, koloritin frymëzues të të cilave e presim ndër vite. Por, a thua se vjen ndonjëherë? – përderisa historia përsëritet dhe njeriu sillet me shpresa të boshatisura rreth qarkut të jetës.
E, para një porte të pretenduar si botë më vete, që disi shndërrohet në portë ku vështrohet filli i përkalimeve jetike, zhbirimi poetik, jo vetëm që nuk ndërron kahje, por edhe sajon imazhe paradoksale, të cilat ndoshta mund të kenë kuptim vetëm në skajet e botës, e jo në një shoqëri të lashtë, si kjo shqiptare, ku duhet vlerësuar thelbi, koncepti i të qenit njeri, në përshtatshmëri me relitetin. Meqë, jo çdo gjë fillon kur “Mesnata ndërron ditët/ zgjedhësit pushtetarët/ një muaj vrap e fjalë/ fitues nuk janë të parët”, mbeten këto kohë turbullirash që gjithkend, madje edhe poetin, e vënë në pasigurinë e vorbullës së mendimeve të paqëndrueshme, delikate.
Në poezitë e motivit filozofik, meditativ dhe refleksiv, dukshëm pikasen katër funksionet e ndërgjegjes te Jung-ut: mendimi, ndjenja, intuita, ndijimi, të cilat “e kompletojnë njeriun në mënyrë që ai të merret me impresionet e botës së perceptuar jashtë dhe brenda vetes”. Kështu, ngrihen ura bashkëbisedimi midis asaj – përditshmërisë dhe atij – poetit, si caqe ku shtresohet filozofia e jetës.
Një numër i konsiderueshëm poezish sajohen nga fijëzimi i thellësive të jetës që bëhen diellishtë ndjenjash dhe rrezonojnë vlug shpirtëror. Nën magjinë e këtij rrezgu, malli i poetit endet visesh të huaja si një gur që rrokulliset, por nuk arratiset tërësisht, rikthehet në atdhe, aty ku të ngjiz vetëm dashuria, nëse jo gjë tjetër?! Po kjo i mjafton madhështisë shpirtërore të poetit! Duke e ditur se koha nuk pret, ai e zë çastin e frymëzimit për t’u ndjerë mirë në hap me të (kohën) dhe veten.
Po të pyesësh se cili tis filozofik e ndërgjegjëson njeriun përballë zjarrit të poetit?!
Atëherë, si një lloj imazhinizmi i Ezra Pound-it, ndodh artikulimi i vargut përmes lojës dhe kuptimit, që midis tyre e përvijon imazhin e sfondit që do të përndrisë për lexuesit e tij.
Ndonëse, thuhet se, poetët e mëdhenj vijnë në epoka tronditjesh të mëdha, roli i poezisë dhe i krijuesit është që ta shpërfaq fluiditetin shpirtëror, me të gjitha përkapjet motivore. Nën disa shtresime metaforash për jetën, poeti Sabit Rrustemi, bën që vargjet të ngjasojnë në revoltë perëndish që gjuajnë vetëtima mbi sojin njerëzor, për të shtyrë hapat “drejt ëndrrës që në bisht të syrit e fshehim”. Soditja drejt kësaj ëndrre i përket vetëm poetit të guximshëm!
Ta sfidosh ëndrrën e më pas të derdhësh në vargje imazhet e sajuara nga ai udhëtim, soditjen e formës, ndjenjës, shpërthimit, si në vargjet: “Nuk ra molla prej dege/ as e shkundi kush/ …vetëm brenda nesh diçka u përpush”.
Rregullat dhe struktura metrike, e do lirshëm derdhjen e vargjeve, përplot përsiatje filozofike dhe psikologjike, deri në intimitet, gjë që e shpalos shprehësinë formale të bindjes së poetit. Kështu, duket sikur arti çlirohet prej natyrës dhe efekteve të atij imazhi, për të parapëlqyer a bërë pakt me abstrakten përplot alternativa interpretimesh. Poeti e adhuron natyrën, megjithëse e përdor me masë metaforike në vargje, duke i qëndruar vlerësimit të saj aq sa ajo (natyra) ndikon në frymëzim, riaktualizim dhe bartje. Pra, te ky poet, nuk mund të ketë vetëm vija sipërfaqësore mbi “kaligrafinë” e ndjenjës…, megjithëse siç pohon Jung-u për Picasso-n, kjo është njësoj sikur “të provokosh një stuhi zemërimi”.
Mos vallë poetët janë bartës të vlerave hyjnore – zëra të ndërgjegjes?!
As që mund të jenë ndryshe, përderisa edhe këto “Grafite nënlëkurore”, ku mungesa e reflektimit të dritës së mjaftueshme mbi to, lë enigma fatesh njerëzore, në të cilët ndihen përplasjet dramatike që përçojnë drithërima deri në thellësitë e qenies… Aty, rri përgjumur zhgënjimi i një poeti të pasfidueshëm nga “idhujt pa krerë” të kohëve të trazuara! Dhe poeti, Sabit Rrustemi shkruan: “Heshtja nuk është ushqimi im i preferuar/ nuk e kam gëlltitur/ as kur dhunshëm ma kanë servuar”. Fundja, liria e shprehjes është gjakimi i lirisë së poetit dhe mbi të gjitha, identifikimi i zërit të ndërgjegjes së tij, në raport me botën të cilës i përket. /2L ONLINE/