DYLON

Arsimi është sektor me suksese e sfida

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti i Arsimit (KA) ka miratuar agjendën e punës për vitin 2015 si dhe raportin e Drejtorisë së Arsimit (DKA) për periudhën janar-mars 205. Arben Mehmeti, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se Komiteti do ta ndihmojë Drejtorinë e Arsimit në realizimin e objektivave të saj, sipas një plani që ngërthen 25 pika të punës, të cilat do të diskutohen veç e veç, gjatë muajve të ardhshëm.

Përndryshe, Mehmeti tha se ky Komitet është vlerësuar më aktivi nga shoqëria civile, në një raport për punën e Kuvendit dhe të trupave të tij, të OJQ “Anamorava”. Edhe anëtarët tjerë të KA, Rashit Sahiti, Florina Jerliu, Leonora, Bunjaku, Shukrije Rapuca e Ajtene Shahiqi i kanë dhënë përkrahje raportit, duke thënë se përfshin çështjet kyçe të arsimit.

EkoHigjiena


Arben MEHMETI

Shahiqi ka kërkuar që të vazhdohet me trajnimet e mësimdhënësve, ndërsa Bunjaku ka thënë se duhet të sigurohen psikologët nëpër shkolla si dhe transporti për nxënësit e bujqësisë. Kurse Fehmi Sylejmani ka shprehur mospajtime me planin e punës së Komitetit, në shumicën e pikave, duke thënë se nuk buron nga plani i punës së DKA-së dhe njëkohësisht i ka ofruar propozimet e tij.

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, tha se në Komitetin e Arsimit referohen të gjitha çështjet dhe se ato, deri tani, janë diskutuar një për një. Sa i përket çështjes së psikologëve, ai tha se nevojë ka, por nuk ka buxhet, sikurse që nuk ka buxhet as për transportin e nxënësve të Bujqësisë. Pagesa e transportit për nxënësit e shkollave të mesme, nuk parashihet as me ligj, ka thënë Musa.

Musa ka prezantuar edhe raportin e punës së DKA-së për tremujorin e parë të këtij viti, me të gjitha detajet, përfshirë edhe investimet në secilën shkollë veç e veç, që nga kryesuesi i KA, Arben Mehmeti, është vlerësuar si praktikë e mirë dhe që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.


Nazmi MUSA

Musa ka dhënë përgjigje edhe në disa vërejtje të FehmiSylejmanit, sa i përket raportit të punës së DKA-së. Ai ka thënë se arsimi ka suksese e sfida. Sipas Sylejmanit, raporti ka mjaft gjëra pozitive, por i mungojnë të dhënat për punësimet pa konkurs, shtyrjet e konkurseve për drejtor dhe zëvendës drejtor, për zyrtar të arsimit në DKA, për mësimin në gjuhën serbe dhe të tjera.

Ndryshe, Musa e ka njoftuar KA edhe me vendimin për pezullimin e drejtorit të shkollës së Bujqësisë, Nehat Salihu, duke mos dhënë detaje tjera, për të respektuar procedurat e mëtejme të dëshmimit të fajësisë ose të pafajësisë.

Musa ka thënë se masa fillestare, pezullim nga puna për 3 muaj, me pagesë, është marrë në bazë të fakteve, por rasti i tij duhet të shqyrtohet nga komisioni disiplinor, ku pala ka të drejtë t`i paraqes arsyet e tij.

Rasti ka të bëjë me një profesor të kësaj shkolle, i cili ka ngelur pa vend pune, por ai nuk është hequr nga lista dhe ka vazhduar të marrë pagë pa qenë fare në shkollë. Drejtori Nehat Salihu nuk e ka njoftuar DKA-në për këtë rast. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.