Sot fillojnë ndeshjet e para të javës së gjashtë në Superligën e Kosovës dhe dy nga perballjet më të zjarrta zhvillohen sot. Drita pret Trepçën’89, në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, ndërsa SC Gjilani është mysafir i Prishtinës.
Dy klubet gjilanase janë rival direkt dhe jo vetëm lokal, por edhe në ‘luftën’ për titull.
Kështu duket të paktën pas javës së pestë, ku të dyja zënë kreun e tabelës, respektivisht SC Gjilani është lider me 12-të pikë, ndërsa Drita është e dyta me 10-të sosh.
Por, klubet gjilanase nuk veçohen vetëm si klube që investuan mbi 2 milionë euro në transferimet e këtij viti, ato tashmë janë klube të njohura jo vetëm në Kosovë për shkak të rivalitetit, derbit lokal dhe dy grupeve të tifozëve të zëshëm, “Intelektualët” e Dritës dhe “Skifterat” e Gjilanit.
Tifogrupi “Skifterat” ka paralajmëruar udhëtim masovik drejt Prishtinës në ndeshjen e sontme që fillon nga ora 20:00.
Sipas udhëheqësve të grupit, janë rezervuar dhjetë autobusë për tifozët e Gjilanit, por do të ketë edhe shumë prej tyre që do të udhëtojnë me automjete private dhe të tillë që jetojnë në kryeqytet.
Ndërsa, përkrahje maksimale për klubin e zemrës kanë premtuar edhe tifozët nga i njejti qytet, kaltërebardhët, “Intelektualët” e Dritës.
Në profilin e tyre zyrtar në Facebook, kanë paralajmëruar se do të jenë pranë Dritës edhe në ndeshjen e sotme që fillon nga ora 15:00.
“Drita ka nevojë për përkrahje madhështore, në një fazë të kampionatit ku lufta për vendin e parë po bëhet shum interesante.
Andaj jemi ne që duhet të mobilizohemi, duhet të bashkohemi, pasi vetëm të bashkuar jemi të fortë dhe vetëm me forcë mund t’i realizojmë synimet tona.Nesër sërish, në mënyrë sa më masive duhet jemi pranë djelmoshave Bardhë e Kaltër, që me prezencën dhe mbështetjen tonë, do t’a arrijnë fitoren e rradhës!!
Fillojmë të mblidhemi nga ora 12:30 në Champions Bar për të nisur festën, ndërsa marshojmë bashkarisht drejt shtëpisë tonë për betejën e rradhës nga ora 15:00.
Ne jetojmë për TY, TI fito për Ne”, thuhet në njoftimin e Intelektualëve.