Qytetarët shqiptar të komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë të cilët udhëtojnë me makinat e tyre për në Kosovë nuk do të mund të pajisen me polisa sigurimi dyjavorëshe.
Për disa javë qytetarët e këtyre komunave në Serbi që kanë marrë rrugën për në territorin e Kosovës, janë duke u pajisur me polisa sigurimi vetëm njëjavore.
Një vendim i tillë është marrë javë më parë nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) edhe ate siç ka mësuar portali Titulli, pas vonesave të Qeverisë së Kosovës për t’i paguar BKS-së mjetet për të cilat edhe ka marrë obligim.
Këtë informacion portali Titulli e ka konfirmuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë ku në mënyrë jozyrtare nga përfaqësuesit e BKS-së është njoftuar se sigurimet do të lëshohen vetëm për një javë.
Ky vendim është marrë me qëllim zvogëlimin e kostos, pasi polisa njëjavore kushton 20 euro për dallim nga ajo dyjavore që Qeverisë së Kosovës i kushtonte 40 euro.
Vlen theksuar se nga 21 tetori i vitit 2013, rreth dy vite pas vendosjes së taksës për polisë sigurimi, qytetarët e Luginës së Preshevës me veturat e tyre nuk paguajnë për të hyrë në Kosovë.
Procedura për pajisje me polisë sigurimi mbetet e njëjta përveç pagesës, të cilën e ka marrë për obligim Qeveria e Kosovës.