(2LONLINE) – Gjendja me ujë të pijshëm në komunën e Gjilanit nuk është e mirë. Mungesa e të reshurave atmosferike ka bërë që edhe në burimin kryesor prej nga furnizohen gjilanasit me ujë të pijes, e që është Penda e Përlepnicës, të bije niveli i ujit drastikisht.
E situata e tillë është alarmuar të premten edhe nga kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri , i cili ka kërkuar nga qytetarët që ujin e pijes ta përdorin sa më racionalist.
Për më tepër ai ka bërë me dije, se ka nxjerrë edhe një urdhëresë me të cilën e ndalon përdorimin e ujit të pijes për qëllime sekondare, si përdorimi për autolarje e qëllime të ngjashme.
Haziri tha se me Kompaninë Hidromorava janë në kontakte të përhershme , për ta tejkaluar këtë gjendje jo e mirë.
E, përfaqësues të kompanisë, ditë më parë kishin alarmuar situatën e rëndë në Gjilan sa i përket ujit të pijes, madje kishin paralajmëruar se nëse nuk do të ketë të reshura në këto dy muaj të parë të këtij vit, niveli i ujit tek Penda e Përlepnicës mund të bije nën nivelin që është i përdorshëm për pije.
Shpresa mbetet tek të reshurat atmosferike dhe tek përdorimi racional i ujit të pijes, përndryshe janë paralajmëruar edhe reduktime të ashpra po që se gjendja shkon duke u vështirësuar.
‘Edhe këtë vit, shpresa e vetme janë reshjet të cilat mund ta zbusin problemin, në të kundërtën nëse kemi këtë gjendje pa të reshura atëherë situata mund të përkeqësohet edhe më shumë ngase duke u ulur niveli edhe më shumë mund të paraqiten probleme serioze në trajtimin e ujit i cili edhe tani po realizohet me vështirësi të mëdha”, ka thënë për 2L Online, Mumin Morina, drejtor teknik, në KRU “Hidromorava”,
Ai ka thënë se 9 metrat e fundit të akumulacionin teknikisht nuk mund te përdoren për shkak të kualitetit të tij në fundin e liqenit dhe për këtë arsye ky vëllim i mbetur ndryshe njihet edhe si vëllim i vdekur i akumulacionit.
“Duke u bazuar në faktin se në liqe kemi një ulje afërsisht 10 cm në ditë atëherë kjo sasi e ujit për Gjilanin do të jetë në dispozicion për me pak se dy muaj kuptohet për një periudhe pa të reshura”, ka thënë Morina.
E problemet se a është apo jo uji i përdorshëm për pije janë lajmëruar nga qytetarët e Lagjes “ Shtatë shtatori. Avni Behluli, qytetar nga kjo lagje, i ka thënë Portalit 2L Online, se personalisht para më tepër se dy javësh ia ka dërguar Hidromoravës, një mostër të ujit, e ndotur, që po e pinë qytetaret e Gjilanit dhe kishte marr përgjigje se ka dërguar sasi të vogël . Behluli thotë se i tëri ka qenë plot me mbetje te zeza.
Ai tha sërish para pak ditësh kishte vërejtur se uji kishte ngjyrë të verdhë dhe ia ka dërguar sërish një mostër Kompanisë Hidromorava, por se prapë ka ngelur i pakënaqur me përgjigje, pasi sipas tij, një punonjës i ka thënë se nuk kanë çfarë të bëjnë sepse ka ra niveli i ujit.
Behluli tha se nuk ka marr përgjigje direkte se a e pinë ata vet këtë ujë dhe se ka kërkuar që Hidromorava të dal publikisht e t’i njoftojë qytetarët, është apo jo uji për pije.
Përndryshe, edhe vitin e kaluar në fillimvit ka pas telashe, por se në dy muajt e parë ka pas të reshura dhe gjendja ishte përmirësuar andaj edhe tani shpresohet në të reshura, për t’u përmirësuar kjo gjendje me ujë të pijes. /2lonline/