(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani me rastin e shtatë vjetorit të pavarësisë tha se është i vetëdijshëm se duhet të bëjmë më shumë, por shtoi se bashkë do t’i tejkalojnë sfidat.
Qindra qytetarë të komunës së Kamenicës, kanë marrë pjesë në shënimin e shtatë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në një aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”, organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës, Begzad Sinani. Me këtë rast, kryetari Sinani ka kujtuar sakrificën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Ai tha se gurthemel i kësaj dite, janë dëshmorët dhe heronjtë, gjaku i të cilëve solli lirinë.
Sinani përshëndeti familjet e dëshmorëve ndërkaq tha se edhe veteranët e luftës, meritojnë nderin dhe respektin e përjetshëm. Më pas, ai ka folur për përpjekjet që po bëhen për të ndërtuar shtetin të cilin e kemi ëndërruar dhe për të cilin është dhënë aq shumë.
“Koha po dëshmon se ende kemi nevojë të kuptojmë se forcimi i institucioneve kërkon dije, guxim, vetëdijesim, profesionalizëm dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrave për të cilat jemi thirrur. Ne sot po bëjmë përpjekje maksimale për të qenë aktiv në përmbushjen e detyrave dhe objektivave që kërkojnë qytetarët. Për këtë synim, nuk mjafton vetëm dëshira dhe vullneti i një njeriu apo një ekipe, por kërkohet angazhim maksimal i të gjithë neve, angazhim i përbashkët në realizimin e interesave tona si qytetarë”, ka thënë Sinani.
Në fund të fjalës së tij, kryetari Sinani tha se të gjithë atyre që dhanë jetën për vendin tonë u themi se kjo që po bëhet nuk mjafton dhe se po bëhen përpjekje për realizimin e plotë të qëllimeve të tyre.
“Ne u themi sot të gjithë atyre që dhanë jetën për këtë ditë, se po bëjmë përpjekje për realizimin e plotë të qëllimeve të tyre. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se këtë që sot po bëjmë, nuk mjafton”, ka thënë veç tjerash kryetari Sinani. /2L ONLINE/