Shefqet DIBRANI
SIMFONIA TEJJETËSORE E POEZISË
( Musa Ramadani, “MËKATET E E(HA)VËS”, poezi, botoi PEN-Qendra e Kosovës, Prishtinë 2006, faqe 136. ISBN 9951-457-09-6 )
FILLIMI
Përmbledhja me poezi “Mëkatet e E(Ha)vës”, i Musa Ramadanit, është botuar në vitin 2006, dhe duket të jetë libri i fundit me poezi i botuar për të gjallë të tij. Autori ka krijuar figuren poetike. E veçantë është strukturimi teknik dhe forma enigmatike, që do ta vë në siklet lexuesin, gjerësa do t’i kuptojë format e paraqitjeve vizuale. Gjithsesi teksti është tejet i rënduar nga thellësia e interpretimit, pasi Musa Ramadani, ka qenë i njohur për forma e kërkime të reja të shkrimit poetik e letrar.
SHËNIMI…
Musa Ramadani, (Gjilan, 21 maj 1944 – Prishtinë, 10 mars 2020), ka shkruar: prozë, poezi, dramë, ese, kritikë teatri dhe vizatime. I lindur në Gjilan. Si fëmijë, bashkë me familjen, është shpërngulur në Prizren, aty ka mbaruar pjesërisht shkollimin fillor, pastaj ka vazhduar në Gjilan dhe Viti. Shkollimin e mesëm në Gjilan, ndërsa në Prizren, mbaroi Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe. Nga viti 1965 ka punuar gazetar, dhe redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “RILINDJA”, ndërsa shkrimet e para i botoi te revista “JETA E RE” dhe te javorja “ZËRI I RINISË”. Libri “Mëkatet e E(Ha)vës”, ndahet në pesë cikle poetike, një “Kujtim dashurie” dhe dy përkushtime në fillim dhe “Post Scriptum”, në fund, me një vizatim dhe me të vetmën poezi “Muza e Ulpianës”. Vlenë të permenden edhe skicat dhe vizatimet të cilat janë vendosur pranë secilit cikël.
SHOQËRIA DHE NJERËZIMI…
Kurdoherë është marrë me çështjen e shoqërisë dhe të njerëzimit. Njohës i mirë i antikitetit dhe i mitologjisë, si dhe i zhvillimeve moderne në letërsi. E tashmja në krijimtarinë e Musa Ramadanit, kurdoherë ka qenë e lidhur me zhvillimet historike e politike, dhe të gjitha zhvillimet bashkëkohore janë integruar në letërsinë moderne, duke u shquar si zë karakteristik në ndërtimin e figurës letrare, ndërsa në poezi, njohësi i mirë i strukturës teknike të poezisë.
Libri “Mëkatet e E(Ha)vës”, hapet me poezinë prelud, kushtuar Beqir Musliut, mikut dhe njëherit shkrimtari më i mirë i atij brezi. “Unë s’e mohoj vdekjen, veçse edhe ringjalljes i besoj”, është shprehur Musa Ramadani, i cili beson në ringjalljen e mikut dhe poetit të shquar.
POETIT TË AMSHIMIT
/Mikut, Beqir Musliu/
Kurdo që rrinim unë e ti, dinim dhe të heshtnim
Nëse fjalët humbnin kuptimin, heshtja ua kthente
Më 24 qershor se si më humbe krejt papandehurazi
Në mos je fshehur diku siç e kishe shprehi dikur
Dhe do të gjendemi befasisht nëpër muzikën e sferave
Unë s’e mohoj vdekjen, veçse edhe ringjalljes i besoj
Më humbe enkas hapësirave mistike e shumëpërmasore
Por edhe përtej “Librit të anatemave” do të kërkoj
Ti do të më shfaqesh si një surprizë në pa(n)kohësi
Që sërishëm ta vazhdojmë në duet atë farë heshturime
/Ulqin, 27 qershor, 1996/, faqe 8.
Rrethanat shoqërore e politike, ndryshimet e shpejta kulturore kanë ndikuar për ta krijuar tipin e shkrimtarit sa abstraksionist po aq impresionist, por gjithsesi tematika e llojit dhe e motivit tek ky poet ka qenë dhe mbetet kërkim i vazhdueshëm i biografisë së kombit, prandaj Musa Ramadani, si krijues letrar, jo pak është trajtuar model, dhe i veçantë në letërsinë shqipe që krijohej në Kosovë sepse: “Heret a vonë do ta komponoj/ Një simfoni të gjatë sa jeta ime/ Do ta pikturoj heret a vonë/ Një tabllo të gjerë sa bota ime”, (poezia: “NJË DËSHIRË, GJAKIM, ILUZION”, prill 1993, faqe 32).
STRUKTURA POETIKE…
Musa Ramadani, pothuajse tërë jetën ka mbetur peng i strukturës teknike të poezisë, së këndejmi edhe i mendimit eksplorues, duke u shfaqur si novator i vargut, ai ka krijuar formën ndryshe të poezisë. Shpeshherë vargu i tij ngjason me kataraktin, ujëvarën ose me pikat e shiut që pikojnë çurg, çurg nga akujt kristalor buzë strehës së çatisë.
Kështu, poeti, pikë, pikë, pikës së shiut nuk iu nda kurrë, dhe kështu ai ka krijuar një oqean të tërë mendimesh e figuracionesh të panumërta. Sa për ilustrim po sjellim këtu poezinë “Dashuria nëpër numra vizualë”, në të cilën poeti mbetet rob i numrave, ndërsa dashuria peng i numrit Zero e Njëshit, kurse “Pritja e pritjeve na ka kthyer në fosile pritëse”, (faqe 42), ka shkruar në një poezi tjetër.
DASHURIA NËPËR NUMRA VIZUELË
Fillimisht isha një Zero ku banonte Dashuria
Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle
Pastaj u bëra Dysh e në mua u pjesëtua Dashuria
Dashuria u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh
Kur arrita në Katërsh lindën tri “L” nga Dashuria
Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti
Ndërmjet 6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria
Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po
Në numrin Tetsh u mbyllën dy rrathët e Dashurisë
Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe
Atëherë zu të këndonte Këngën e mjellmës Dashuria
Dashuria ime gulçonte pleqërisht mes Zeros e Njëshit
/Në mars 1993/, faqe 40.
Edhe poezia “I DUA PROFETËT (MBASE) NGA FRIKA S’I DUA”, është e veçantë, sepse “Poetët prodhojnë shpresa të vogla e frika aq të mëdha”, (faqe 64), që duket të jetë inspirim pas leximit të letrave të Kafkës, kurse poeti besonte: “Mbase Kafka ka lindur në Kosovë/ E në Pragë ka jetuar gabimisht”, (faqe 66, poezia “Përsiatje asociative K.+K.”).
MOTIVI HISTORIK…
Përveç poezive me tematikë të moderniteti dhe të antikiteti, Musa Ramadani, kishte njohje të shkëlqyer edhe për aspekte historike, sidomos gjurmë tek ai kanë lënë format e dhunës dhe të shpërnguljes, plagë që vijnë të freskëta edhe në këtë libër. Dhembje këto që janë pjesë e librit “Mëkatet e E(Ha)vës”, p.sh.:
(S)PASTRIMI ETNIK I SHQIPTARËVE
Shkuan të rinjtë: frika nga mobili në beteja
Vajtën të papunët: për një kafshatë familjare
Ikën pasunarët: të shpëtojnë kokën e duketët
Aman, o Zot, familje, lagje e fshatra tretën larg
Në Kosovë ngelën ata që s’kanë nga t’ia mbajnë
Ose ata që s’mund t’ia kthejnë shpinës vetes së vet
Atit e Dheut, Mëmës e Tokës, Vatrës, Djepit dhe Varrit
(S)pastrimin etnik vetjak e bëmë me pasaporta të huaj
E dielë, 6.1.1993, faqe 80.
Ndërsa për krahasime të dhunës politike, të gjenocidit dhe shfarosjes, po brenda këtij libri kemi mjaftë poezi të tjera, e sa për konkretizim po i sjellim disa vargje nga poezia “Një kafe në Londër”, në të cilën thuhet: “Mjegulla të zeza atëherë/ Re të dendura pis tani/ …/ Më 1913-tën s’di në ishte gusht/ E më 1992-tën tejet-tejet ngusht./ E nisshekull mjegulla të zeza/ Re të dendura në sosshekull re”, (faqe 82).
GJËMA E POETIT…
Ai edhe në poezi shkroi dramën e popullit të tij, shkroi dramën e vet reale, të cilën e kishte jetuar dhe përjetuar thellë në zemrën dhe shpirtin e tij. Motivi me temë sociale ishte bërë kronos i poezisë, sikurse edhe motivi me temën e ekzistencializmit iu bë pasion i përhershëm, në kohën kur dihej se edhe Musa Ramadani ishte avangardë e emancipimit patriotik të shqiptarëve dhe së këndejmi ishte pjesë e asaj elitës intelektuale që tërë angazhimin ia kushtoi shoqërisë dhe popullit.
Ç’MUND TË BËJË LETËRSIA
Letërsia s’mundet hiçgjë:
Mund të vuajë në mëngjes
Mund të qajë në mesditë
Të ngushëllojë në mesnatë
Gjithçka mund të bëjë letërsia
/Më 8 maj 1993/, faqe 51.
Ky motiv meditativ, përfaqëson mendimin avangardist të poetit, në anën tjetër e bënë vargun e poezisë më të dendur, dhembjen edhe më shumë. Motive të tjera, si ai për zbrazje e rrallime, janë trajtuar në poezinë “Imazhe të K-qytetit tim”, (faqe 84). Poezia “Grafite jo(po)etike”, është karakteristikë se varg për varg mund të përdoret si citat, si mendim i peshuar i autorit…., pastaj është poezia “Vetëm Kosova vetëm”, (faqe 96-97), që mban datën: Deçan, 13.8.1971, në të cilën shkrihen ndjenjat dhe ngjizen dashuritë, bien yjet dhe ngriten heronjtë në piedestale. Kjo është Kosova e Musa Ramadanit! Njeriut Poet. Pastaj është cikli për Veronikën e Kafkën, poezi të veçanta, të rralla e të thella, meditative dhe inspirues gjithsesi. Një imagjinatë e thellë dhe me forma teknike në përthyerje të vargut, së këndejmi edhe të mendimit poetik e shprehjes së bukur artistike. Ai ishte në kërkim të formës dhe vargut artistik, të mendimit të thellë poetik, kultivoi metaforën eliptike dhe kurdoherë gjeti shprehje me fuqi magjike. Poezia e tij ishte artikulimi më i bukur stilistik, diskursi i angazhimit të tij në fushën e poezisë është shembull për admirim: “Ata që na vrasin përnjëherë/ I këndojmë në tela të çiftelisë// Ata që na mbysin dalëngadalë/ I ngjallim në libra të zverdhur// Atyre që na mundojnë përditë/ Ua falim jetën tonë me këste”, (poezia: “NË ALTERNATIVË”, faqe 109).
VLERA LIRIKE…
Siç e kemi theksuar edhe më parë Musa Ramadani, është shquar me ide të veçanta, dhe me të, në letërsinë e Kosovës çatisi një frymë e re letrare e cila herë kishte mitologji e filozofi, e herë poezi me shenja biografike, por gjithsesi me Musa Ramadanin, janë shënuar nisma poetike me shprehje gjuhësore më të artikuluara. Poezia e Musa Ramadanit është klasifikuar moderne dhe shpeshherë i përkiste postmodernës së asaj kohe. Edhe librin e “Mëkateve për Havën e Evën”, e ka mbyllur pikërisht me poezinë “Muza e Ulpianës”, me nëntitull, “Anonimes artistike”:
MUZA E ULPIANËS
/Anonimes artistike/
Përnën qiellin zymtak
Një sy që ndez yjet
Gjatë ditës mjegullnajë
Dy buzë që shkrepin gaz
Brenda vellos mbrëmësore
Një siluetë që ngashnjen
Një energji frustruar lirie
Ritëm i jep amullisë jetësore
Nimfë e Ulpianës e pagëzova
Faqe 129.
EPILOGU
Musa Ramadani, edhe në jetë gjithmonë ka qenë i madh edhe pse ishte i thjeshtë në sjellje, i hajthëm por i thellë në mendime, ka pasë qëndrim aristokrati, esnaf i përkryer në shkrimin letrar, (për shijen time e veçojë strukturën e poezisë së tij). Bile me cilësi të rralla e të mahnitshme, dhe ndoshta ma e mira, kjo në librin “Mëkatet e E(Ha)vës”. Për diskursin motivor poezia “Diçka për Babain tim”, është jeta dhe biografia jetësore e poetit, që bashkë me poezinë “Prore jam vonuar në jetë”, janë stenogrami më i saktë i kardiologjisë jetësore, i rritës së mundimshme dhe i bërjes shkrimtar të Musa Ramadanit.
Hapësira dhe koha, po ashtu kanë qenë faktorët përcaktues, edhe për kahen e krijimtarisë së Musa Ramadanit. Ai, asnjëherë nuk iu nda përkushtimit për Gjilanin, vendlindjen. Kishte dhunti hyjnore, edhe dashuri estetike kishte për Njeriun dhe Atdheun, edhe për arritje dhe triumfin, janë disa nga dimensionet e vargut poetik, të lidhura ngush me historinë dhe të tashmin politike, ndjenjë kjo që shkonte në antikitet dhe së këndejmi kthehej në modernitet, një frymë e fuqishme e krijuesit Musa Ramadani, që la gjurmët e veta, qoftë si njeri, si intelektual por më shumë si letrar. Kjo e fundit, është kolazhi artistik që do të jetojë tejjetesën e Musa Ramadanit, qytetarit nga Gjilani, dhe krijuesit me finesa e grafema të mëdha që pat Kosova. /2LONLINE/