(2L ONLINE) – Përmirësimi i sigurisë dhe krijimi i mjediseve të sigurta me sistem më efektiv arsimor ka qenë dhe mbetet një sfidë papërballueshme për institucionet dhe komunitetin. Kështu u tha në diskutimin publik me temë “Siguria në shkollat e Kamenicës”, të organizuar nga OJQ “Fortesa” me mbështetjen e Institutit Demokratik të Kosovës.
Amir Jakupi nga “Fortesa”, evidentoi një varg problemesh me të cilat ballafaqohen institucionet arsimore në Kamenicë. “Mungesa e diciplinës, vijimi jo i rregullt i nxënësve, hyrjet e paatorizuara në shkolla, pirja e duhanit dhe lëndëve narkotike, mungesa e sigurisë në oborre dhe mosfunksionimi i trekëndëshit prind-nxënës-arsimtar”, theksoi ai.
Përfaqësues të Policisë së Kosovës, Arsim Gashi dhe Shukri Shillova kërkuan angazhimin e të gjithëvve për një mjedis të qetë dhe sigurt nëpër insitucione arsimore.
“Rasti i para një jave, kur një nxënës u godit e u rrah në shkollë, është i papranueshëm dhe duhet të dënohet nga të gjithë. Ne si Polici nuk kemi të drejtë të përzihemi në shkolla, përpos atëherë kur cënohet siguria. Uniforma policore është imazh i ftohtë për shkollën. Në cantën e nxënësit, pos librave, s’duhet të ketë gjëra të tjera”, ka theksuar Shillova.
Ndërsa, Qamil Qehaja, drejtor i shkollës Teknike, tha se gjendja nuk është alarmante, por jo edhe e mirë. “Ne si drejtues të shkollave jemi të zhveshur nga kompetencat dhe në këtë mënyrë nuk po mund t’i ushtrojmë detyrat dhe përgjegjësitë tona. Rast i paprecedent është kur në klasë nxënësit i zihet substanca narkotike, e në mbrëmje unë e shoh në kafiteri. Nëse këto veprime nuk sanksionohen, ne kemi me pas probleme vërtetë serioze”.
Qazim Jashari në cilësinë e qytetarit kritikoi strukturat e sigurisë dhe organet komunale për gjendjen e mjerueshme të shkollave.
Ndërsa, drejtoresha e OJQ “Fortesa”, krejt në fund, kërkoi që shkollat ta trajtojnë cështjen e sigurisë si pjesë të integruar të vet procesit mësimor, duke siguruar kështu punë normale nëpër shkolla, ku liria dhe siguria nuk do të cenoheshin.
Ky diskutim u përcoll edhe me shumë pyetje e komente të nxënësve dhe u realizua në kuadër të fazës së dytë të projektit “Angazhimi Civil për transparencë dhe llogaridhënie në nivel loka”, që implementohet nga “Fortesa” dhe mbështetet nga KDI. /2L ONLINE/