21 vjet më parë një numër i madh i luginasve u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe u vendosën në Kosovë, pasi që regjimi kriminal serb ua bëri të pamundshme jetën e tyre në trojet e veta. Këta qytetarë u vendosën në Kosovë ku edhe filluan jetën e tyre nga e para. Pos problemeve të mëdha ekonomike ata u përballën edhe me një problem edhe më të madh e banal siç mos pajisja me dokumente identifikimi.
Shkruan: Kushtrim Kadriu
Ky problem, tash e sa vite nuk po gjen zgjidhje. U janë dhënë disa letërnjoftime të përkohshme, por kjo nuk ka sjellur ndonjë zgjidhje të kënaqshme, edhe pse me insistimin e ish- zv ministrit të brendshëm z. Izmi Zeka është krijuar baza ligjore.
Tani në kohë pandemie është telashe e madhe mungesa e dokumenteve të identifikimit për këta banorë, pasi që lëvizja e qytetarëve me rregullat e reja të qeverisë bëhet me dokumente identifikimi, përkatësisht me numër personal. Shumë prej tyre nuk kanë fare letërnjoftim as të Kosovës e as të Serbisë, apo ndonjëri prej tyre mund të ketë ndonjë dokument me afat të skaduar.
Kërkojmë nga qeveria që të ndërmarrë hapa të shpejtë në krijimin e një mundësie ligjore që edhe këta qytetarë të kenë një kohë kur mund të dalin për nevojat e tyre të përditshme, përndryshe ky penalizim atyre do t’ua vështirësojë edhe më tepër jetët e tyre.
/Autori është kryetar i Lëvizjes ”Vatra”/