(2L ONLINE) – Anëtarja e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Partisë së Drejtësisë (PD), Selvete Shurdhani thotë të jetë e revoltuar me kolegët e saj, anëtarë të Kuvendit, me atë pjesë të kuvendarëve duhanpirës, që pauzat e seancave po i shfrytëzojnë për të bërë “tullug’, nga tymi i duhanit, dhe atë në ambientet ku realisht ndalohet pirja e duhanit.
Shurdhani i ka thënë Portalit 2L ONLINE se ndihet e indinjuar që kolegët e saj, ata duhanpirës, në vend se të tregohen për shembull të mirë, ata po janë një shembull i keq për shoqërinë, duke pirë duhan në hollin e ndërtesës ku është edhe salla e kuvendit komunal. Me këtë, ajo shprehet se disa prej këshilltarëve komunal po tregojnë se ligji i duhanit nuk po gjen zbatim as nga ata që realisht duhet prirë për të mirë dhe të jenë shembull për të tjerët.
Ajo tha se në vazhdim të seancës së sotme të Kuvendit Komunal, kur do t’i jepet mundësia, do ta ngrisë këtë çështje dhe do të kërkojë nga ata këshilltarë duhanpirës të mos e përsërisin më kurrë këtë, po të tregohen të përgjegjshëm. /2L ONLINE/