“Sipas dëshirës së Beogradit, Qeverisë kosovare dhe Catherine Ashton të BE-së, më në fund edhe serbët kryeneçë nga Mitrovica do të dorëzojnë “fshatin e tyre galik” dhe do t`i bashkohen perandorisë së modernitetit. Por, ata nuk e duan këtë…”
Zgjedhjet lokale qe janë duke u zhvilluar sot në Kosovë, përbëjnë lajm të parë jo vetëm për mediet kosovare. Kudo në zonën gjermanofone: në Gjermani, Zvicër dhe Austri, sipas albinfo, Kosova dhe zgjedhjet atje janë lajmi me të cilin hapen emisionet informative dhe fillojnë kryetitujt e gazetave.
Kështu ishte madje jo vetëm sot, më 3 nëntor kur zgjedhjet tashmë kanë filluar, por prej tri katër ditësh. Ajo ku mediet në gjuhen gjermane fokusohen më shumë është, siç edhe mund të pritet, problemi i pjesëmarrjes së serbëve të veriut në këto zgjedhje. Për vetë faktin se në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë shumë problematike dhe temë shumë e ndjeshme mediet janë marrë në mënyrë më të përqendruar me këtë aspekt. Në këtë kuptim, nuk mungojnë edhe titujt si: “Zgjedhjet lokale si pikë ndarjeje: një njollë më pak për Kosovën”, nga gazeta prestigjioze zvicerane “NZZ”, ose “Në Kosovë fillon një mijëvjeçar i ri”, nga gazeta gjermane “Die Welt”, ose “Votimet më të rëndësishme të Kosovës”, nga gazeta austriake “Kurier” etj. Shumë nga mediet e përmendura kanë dërguar edhe korrespondentë në Kosovë për të ndjekur zgjedhjet, të cilat, si në kor, vlerësohen si shumë të rëndësishme.
“Këto janë votimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, shkruan gazeta NZZ, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e paralajmëruar edhe të serbëve në këto zgjedhje. Pastaj, vazhdon gazeta, “Mëvetësia shtetërore e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008 vuan para së gjithash nga dy mangësi: së pari,, legjitimiteti ndërkombëtar i shtetit të ri edhe brenda BE-së nuk është i pakontestueshëm. Së dyti, qasja sovrane e qeverisë shtrihet ekskluzivisht vetëm në pjesën jugore dhe me shumicë shqiptare të vendit, ndërkohë që autoritetet e vendit nuk kanë asfarë ndikimi në veriun e dominuar nga serbët. Tash, së paku njolla (mangësia) e dytë pritet të hiqet, me zgjedhjet lokale që mbahen në gjithë vendin. Preokupimi qendror i daljes në votime është kësaj here përfshirja për herë të parë edhe e veriut të Kosovës në strukturat institucionale të shtetit të Kosovës”, shkruan veç tjerash gazeta “NZZ”.
Ndërsa me titullin shumë të frymëzuar dhe me tone euforie “Në Kosovë fillon një mijëvjeçar i ri”, gazeta gjermane “Die Welt” ka titulluar artikullin e njohësit të Kosovës, Norbert Mappes-Niedek. “Shqiptarët dhe serbët marrin pjesë së bashku në zgjedhje dhe konflikti i viteve `90 duket të zbehet”, fillon artikulli, në të cilin bëhet një tablo e gjerë e Kosovës së veriut, duke filluar nga atmosfera e zymtë te Ura mbi Ibër. Autori këtë atmosferë e krahason me atë të një ure që ndante dy Gjermanitë, një urë shpeshherë e përgjakur. Por, sipas tij, Ura mbi Ibër ndërkoj¨hë është shndërruar në farsë të asaj që ishte menjëherë pas luftës.
“Sipas dëshirës së Beogradit, Qeverisë kosovare të dominuar nga shqiptarët në Prishtinë dhe të Catherine Ashton nga BE, më në fund edhe serbët kryeneçë nga Mitrovica do të dorëzojnë “fshatin e tyre galik” dhe do t`i bashkohen perandorisë së modernitetit. Por, ata nuk e duan këtë…”, shkruan “Die Welt”. Ndërsa e citon kandidatin për kryebashkiak Oliver Ivanoviq , kritiku më i guximshëm i skenës së turbullt që është shtrirë në Mitrovicë të ketë thënë se “10 deri 15 për qind serbë megjithatë do të dalin në zgjedhje”.
Duke iu referuar atmosferës së tendosur në veriun e Kosovës, gazeta 20minuten ka prezantuar komandantin e ri të forcave ndërlidhëse të KFOR-it të stacionuara në veriun e Kosovës, zviceranin Patrick Gaushat. “Njeriu në mesin e kazanit kosovar të shtrigave”, i ka vënë gazeta titullin artikullit, ku Gauschat flet për atmosferën shpërthyese atje. “Mbretëron një klimë e frikësimit”, citohet të ketë thënë ai.
Për një atmosferë të tillë në veriun e Kosovës shkruajnë edhe gazetat tjera dhe njoftojnë mediet elektronike gjithandej. Ndërsa gazeta austriake “Standard” shkruan edhe për vrasjen që ka ndodhur të shtunën në Skenderaj, me ç`rast ka humbur jetën një kandidat i AAK-së për asamblenë komunale. Veç këtij incidenti të rëndë por që ende nuk dihet nëse lidhet me zgjedhjet, sipas medieve nga Gjermania, Zvicra dhe Austria, në pjesën tjetër të Kosovës zgjedhjet nuk priten me tensione dhe, në orët e para kanë pasur një rrjedhë të qetë e normale./koha.net/