Mediat e shkruara në Amerikë shënojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke theksuar se ato për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë po mbaheshin në tërë territorin e vendit. “Kjo u pengua nga dhuna dhe frikësimi nga serbët radikalë, duke minuar kështu një marrëveshje të brishtë në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, shkruan The Washington Post., transmeton RTK
Më tej thuhet se Beogradi për herë të parë u kishte bërë thirrje serbëve në veri të marrin pjesë në votim nën trysninë dhe perspektivën e bisedimeve për anëtarësim në BE. Gazeta amerikan shkruan më tej për mbylljen me dhunë të vendvotimeve në komunat e veriut dhe tërheqjen e 60 vëzhguesve të OSBE-së. Pjesëmarrja e ulët dhe dhuna cilësohen si një tregues i qartë i shkallës së rezistencës në mesin e serbëve të veriut për t’u integruar me pjesën tjetër të vendit.
Lidhur me bandat e dhunshme serbe, disa të ardhur edhe nga Serbia thuhet se ata kishin përcjellë me fishkëllima, tallje e sharje si dhe kishin filmuar në vendvotime ata që kishin votuar. Posterë ku përshkruhej pjesëmarrja në zgjedhje si tradhti ishin vendosur kudo në zonat me shumicë serbe, theksojnë këto media.
“Janë ngritur shqetësime se Serbia megjithatë nuk kishte përmbushur zotimin e saj për të ndaluar kundërshtimet në mesin e serbëve të Kosovës,” shkruan the Boston Globe. Ndërkaq për zgjedhjet në pjesët e tjera të vendit të dominuara nga shqiptarët, mediat theksojnë se ato ishin një test i popullaritetit të koalicionit qeverisës para zgjedhjeve nacionale të vitit të ardhshëm.