Ndeshja e dytë miqësore e Kosovës në arenën ndërkombëtare do të kushtojë më shumë për xhepat e tifozëve. Federata e Futbollit të Kosovës, pritet të nxjerrë në shitje biletat për takimin me Turqinë për takimin e 21 Majit që do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës. Sipas informacioneve, biletat për këtë ndeshje do të dalin në treg 2 deri në 3 ditë përpara sfidës dhe e veçanta është se do kushtojnë më shumë se biletat e ndeshjes së parë kundër Haitit.
Çmimi maksimal i një bilete në miqësoren Kosovë-Turqi do të shkojë deri në 20 Euro, ndërsa shuma zbret sipas sektorëve të stadiumit “Adem Jashari”. Ndërkohë, në shitje kanë dalë biletat e takimit miqësor Kosovë-Senegal që do të luhet në 25 Maj në stadiumin e Gjenevës. Kundër kombëtares afrikane, kombëtarja e drejtuar nga Albert Bunjaku do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë jashtë kufijve të vendit.