(2L ONLINE) – “Shtegtarët e Lirë“, të cilët janë nisur nga qyteti i Gjilanit e që synojnë të arrijnë në Bruksel, sot kanë vizituar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb.
Të pranishëm në këtë takim me ambasadorën e Republikës së Kosovës në Kroaci znj.Shkendije Geci-Sherifi ishin katër përfaqësuesit e grupit Nazim Ajdini, i cili është udhëheqës i grupit, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha, të cilët ishin të shoqëruar nga gjeneral major Esat Çollaku. Ky i fundit i ka ofruar grupit përkrahje logjistike gjatë gjithë qëndrimit të tyre në Republikën e Kroacisë.
“Shtegtarët e Lirë”e njoftuan ambasadoren Geci-Sherifi për rrugëtimin e tyre prej Kosovës deri në Kroaci ku informuan se rrugëtimin e tyre do ta vazhdojnë për në Slloveni,Austri,Gjermani,Belgjikë dhe Bruksel.
Me këtë rast ambasadorja Geci-Sherifi i përgëzoi në kurajën dhe misionin e tyre për të përçuar në Bruksel një mesazh të rëndësishëm lidhur me lirinë e lëvizjes.
Udhëtimi me moto “5 milionë hapa për një hap” është simbolikë e sensibilizimit të strukturave evropiane për liberalizimin e vizave, sa më parë që është e mundshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Nisja e ‘Shtegtarëve të Lirë” për në Bruksel është bërë me datë 30 prill, ora 9:30 nga sheshi “Agim Ramadani”, para Teatrit të Qytetit të Gjilanit.