(2L ONLINE) – Në kuadër të aktiviteteve të tyre në frymën rotariane, Klubet rotariane të Kosovës i kanë realizuar, janë duke i realizuar dhe synojnë të realizojnë përgjatë këtij viti, një mori projektesh në dobi të komunitetit, kudo nëpër Kosovë. E nga një projekt i tillë i rotarianëve do të përfitojnë edhe shkollat e Vitisë.
Me mbështetje të Rotary Klubit Prishtina Internacional, të Rotary Klubit Vitia dhe të Komunës së Vitisë, së shpejti do të nis projekti në 17 shkolla të Vitisë që ka të bëjë me ujin.
Në Mitrovicë ku u mbajt mbledhja e fundit e Këshillit të Klubeve Rotary të Kosovës, u shfrytëzua rasti që të nënshkruhet edhe marrëveshja e mirëkuptimit mes dy klubeve rotariane, atij nga Prishtina RC Prishtina Internacional dhe nga Vitia, RC Vitia, që parasheh realizimin e projektit në bashkëpjesëmarrje (50:50) me komunën e Vitisë, e ku do të bëhet vendosja e filtrave, respektivisht pastruesve të ujit të pijshëm në17 shkolla të komunës së Vitisë.
Kjo u bë me përkrahjen e Klubit Rotary Prishtina International e ku kryetari i saj Sylë Alaj shprehu gatishmëri që projekte të tilla që kanë të bëjnë me sektorin e ujit të vazhdojë të mbështesë edhe më tutje aty ku klubet përkatësisht institucionet komunale tregojnë gatishmërinë për të participuar 50:50, ndërsa nga ana e tij Izak Martin kryetar i RC Vitia tha se ky projekt është më se i mirëseardhur për të mundësuar ujë cilësor për nxënësit e 17 shkollave përfituese, ndërsa ka shprehur falënderimet e tija për kryetarin e RC-PI, Sylë Alaj dhe Kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, për mbështetjen dhe financimin e projektit.
Përndryshe, rotarianët nëpër Kosovë kanë bërë edhe shumë aktivitete tjera si sjelljen e 5 autoambulancave, njërën të cilën e ka përfituar edhe Gjilani, pastaj sjelljen e 2 automjeteve për zjarrfikje, furnizimin e dhjetëra shkollave në Kosovë me ujë të pijshëm (përfitues edhe Gjilani), sjelljen e 168 kompjuterëve, 22 printerëve e 11 projektorëve (përfitues edhe Gjilani), shpërndarjen e mijëra librave, e me dhjetëra projekte të tjera të natyrave më të ndryshme në ndihmë komuniteteve në nevojë në gjithë Kosovën. /2L ONLINE/