Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se përkundër rritjes së madhe të numrit të të hospitalizuarve me COVID, furnizimi me oksigjen në QKUK është stabil, falë rezervuarit me oksigjen të lëngshëm me kapacitet prej 20 mijë litrash, i cili është vendosur më parë me kërkesë të menaxhmentit të SHSKUK-së.
Me të, është e paraparë të mbulohen disa nga klinikat, përfshirë Klinikën Infektive dhe ato internistike, që po trajtojnë pacientë me COVID- 19.
Sipas ShSKUK-së, duke e parë nevojën për intervenim të menjëhershëm, një çështje që s’po priste më, për shkak të pandemisë, menaxhmenti i SHSKUK-së e kishte listuar si prioritet të parë oksigjenin dhe brenda një kohe të shkurtër ka arritur të instalojë rezervuarët me oksigjen të lëngshëm në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme.