Ata pak shqiptarë në Komunë të Medvegjës zgjedhjet e parakohshme lokale do t’i gjejnë me dy lista zgjedhore. Ndonëse subjektet politike shqiptare tentuan të arrinin një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e 13 shtatorit, të cilën e ndërmjetësoi edhe klubi “Trojet” me seli në Fushë Kosovë, ata do të dalin të ndarë në dy lista.
Pas koalicionit mes Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH) edhe Partia Demokratike (PD) ka formuar listën e saj së bashku me grupin qytetarë.
Subjekti më i ri që vepron në Medvegjë, PD, përmes një kumtese ka bërë të njohur se në këto zgjedhje do të marrë pjesë së bashku me grupin qytetarë i cili drejtohet nga Fehmi Beha, ish kryetar i PVD-së në Medvegjë, transmeton Titulli.com.
Unifikimi i spektrit politik shqiptarë dështoi edhe pas disa tentimeve, ndërsa kjo ndarje me dy lista pritet që të mos jap rezultatin e duhur, marrë parasysh numrin në rënie të banorëve shqiptarë në Medvegjë.
Zgjedhjet lokale në këtë komunë u shpallën si rezultat i dështimit të disa herë radhazi të mbajtjes së seancës së 25-të të Kuvendit Komunal, ndërsa për të fundit herë më 14 prill të këtij viti, për shkak të mungesës së kuorumit.