Përveç kërkesës për kthimin e Gjykatës themelore në Preshevë, shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që kryetari i Gjykatës themelore në Bujanoc të jetë shqiptar. Shqiptarët janë të pakënaqur me integrimin e tyre në organet e jurisprudencës dhe sipas strukturës etnike të popullatës në Bujanoc i takon edhe kryetari i gjykatës të jetë shqiptar, thonë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të kësaj komune.
Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, thotë se në emër të administratës, respektivisht pushtetit lokal, përveç shumë kërkesave drejtuar ministrive përkatëse në Beograd, kanë kërkuar integrimin e plotë të shqiptarëve në organet shtetërore.
“Gjithashtu kemi kërkuar edhe decentralizim të gjyqësisë, policisë, mirëpo deri tash nuk ka rezultate, mbeten vetëm kërkesa pa përgjigje”, thotë Arbër Pajaziti për portalin Titulli.com.
Sipas fjalëve të Ismail Pajazitit, nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), shqiptarët janë shumë të pakënaqur me integrimin e tyre në organet e jurisprudencës, në gjykata dhe në prokurori.
“Numri i gjykatësve, prokurorëve është shumë i vogël dhe ministria përkatëse duhet të merr parasysh kërkesat legjitime të shqiptarëve që të inkuadrohen në këto organe sipas strukturës etnike të popullatës e cila jeton në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”, thotë pIsmail Pajaziti.
Megzon Ismaili, këshilltar i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD) në Kuvendin Komunal të Bujanocit mendon që shqiptarët janë prekur më së shumti nga reformat në gjyqësi.
“Konsiderojmë që udhëheqës i gjykatës, kryetar i gjykatës duhet të jetë shqiptar. Pjesa më e madhe e popullsisë këtu jemi shqiptar dhe na takon që shqiptari të udhëheq një instancë të lartë shtetërore, siç është gjykata në Bujanoc”, thekson Ismaili.
Vlen të ceket se me rrjetin aktual të gjykatave dhe prokurorive në Serbi, Medvegja nuk ka asnjë gjykatë, në Bujanoc funksionon Gjykata themelore, në Preshevë vetëm Gjykata për kundërvajtje, ndërsa prokurori nuk kanë asnjëra prej këtyre tre komunave.
Për më tepërr si dhe për Video dhe Foto, në Titulli.com