Sa e kuptojmë dhe sa e besojmë?! Dhe e respektojmë aq sa e respektojmë vetveten! Pastaj fajësojmë, shajmë e mallkojmë të tjerët, por vetën e harrojmë edhe kur bëjmë po të njëjtat veprime! Mohues dhe të mohuar.
Shkruan: Bejtush Isufi
Për të marrë së pari duhet të japësh e për të korrur së pari duhet mbjellë. Cila është historia e institucioneve shtetërore te shqiptarët?! Ushtria, bankat, universitetet, gjykatat …?!
Sot kur u nisët për në zyrat tuja në mëngjes, a e menduat se kur të ktheheni në mbrëmje edhe për shkak të angazhimit tuaj nesër shëndeti i popullit tuaj do të jetë më i mirë, shkolla më e përparuar dhe ushtria dhe policia më e përgatitur për të mbrojtur kufirin, përkatësisht sigurinë publike?!
Apo, përkundrazi, të gjitha këto do të jenë edhe më keç se sa ishin deri më sot, edhe për shkak të sabotimit, korrupsionit dhe veprimeve tuaja rrënuese… dhe me këtë e keni afruar edhe për një ditë momentin kur djali dhe vajza juaj do të përgatisin çantat për të ikur prej atdheut të tyre, e pastaj edhe ju vet pas tyre.
Askund, sjellja e mirë dhe kontributi nuk bëhen vetëm për shkak të kontrollit, vetëm për shkak të sanksionit, detyrimit… por në radhë të parë sepse njerëzit i besojnë ligjit, institucionit, pra shtetit i cili pastaj siguron, garanton, përkrah dhe shërben sepse ne vetë e kemi bërë për këto qëllime.
Si mund të ekzistoi një vend pa rend, pa ligj, pra pa të zotin?!
Dhe, përsëri si mund të ekzistoi një shtet pa qytetarët e vetë të cilët e duan, e mbrojnë, i besojnë dhe ai u beson atyre, pa ata për të cilët ai është bërë, pa ata për të cilët ai ekziston dhe ndërtohet, pa ata të cilët kanë rënë dhe kanë ëndërruar që me dorën e tyre të ndihmojnë, mbrojnë dhe përkëdhelin trupin e tyre, e jo me dorën e huaj…!