Kombëtarja shqiptare humbet terren në renditjen e FIFA-s për muajin prill, duke zbritur plot 16 pozicione për t’u klasifikuar tashmë në vendin e 70-të. Për periudhën 13 mars-10 prill në të cilën është bazuar renditja e re, kombëtarja e De Biazit nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje, duke humbur kësisoj terren në klasifikim.
Për të nisur ringritjen, kuqezinjtë duhet të presin deri më 31 maj kur të ndeshen me Rumaninë, në një test miqësor në Sion të Zvicrës. Përsa i përket skuadrave të Grupit I të eliminatoreve të Evropianit ‘Francë 2016’, në të cilin bën pjesë edhe kombëtarja shqiptare, renditja i ka buzëqeshur Portugalisë dhe Armenisë, ndërsa kanë pësuar ulje të lehtë Danimarka dhe Serbia.
Luzitënët janë ngjitur në pod për t’u renditur në vendin e tretë pas Spanjës kryesuese dhe Gjermanisë së vendit të dytë. Një pozicion humbet Danimarka që zbret në vendin e 23 me 819 pikë për t’u kaluar në renditje nga Skocia. Dy pozicione humbet edhe Serbia që gjithsesi ruan pozitat në 30 më të mirat e globit. Kundërshtari ynë i 14 Tetorit ka 759 pikë duke u klasifikuar në vendin e 30. Kjo periudhë i ka buzëqeshur Armenisë që ka fituar 8 shkallë në klasifikim për t’u renditur në vendin e 33 me 750 pikë.