Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar zyrtarisht dy rastet e para në Shqipëri, të personave të infektuar nga koronavirusi.
Ministria ka njoftuar se pacientët janë babë e bir, të cilët kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë.
Ministria thotë se po kryen “marrjen e mostrave të kontakteve” të personave me të cilët ata kanë pasur të bëjnë gjatë rrugës.
Sipas njoftimit zyrtar: “Dy qytetarët e konfirmuar me koronavirusin e ri, babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale”.
“Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr. 127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e sotme nga laboratori i virologjisë në IShP. Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv. Ndërkohë strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo ministri u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë rigorozisht rregullat e higjenës, sipas njoftimeve që ka bërë Ministria e Shëndetësisë gjatë gjithë kësaj kohe.
“Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare për marrjen e informacionit. MSHMS do të vazhdojë të ofrojë informacione të përditshme mbi situatën dhe masat e marra”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.