Në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, të mbajtur ditën e enjte shtrova pyetje dhe shqetësim rreth çështjes së konkursit të anuluar në drejtorinë e arsimit, konkurs i cili u anulua vetëm tri orë pas shpalljes së rezultateve.
Nga: Festa Shabani
Konkursi në fjalë u anulua për shkak të shkeljes së autorizimeve zyrtare. Rreth kësaj çështje kërkova sqarime shtesë: Pse saktësisht është anuluar konkursi? Kur do të rishpallet konkursi? A kanë humbur nxënësit mësim gjatë kësaj kohe dhe pse në shkolla të caktuara kanë vazhduar punën mësimdhënës të dalur nga konkursi i anuluar?
Kërkova që në rekrutimin e mësimdhënësve të ketë transparencë të plotë, duke filluar nga organizimi i intervistave dhe formimi i komisioneve profesionale dhe mbi te gjitha rezultatet e pranimit të jenë online në webfaqe të Komunës, gjë për të cilën shpreha gatishmëri të ndihmojë.
Po ashtu kërkova qëndrim zyrtar nga DKA-ja dhe Komuna rreth rastit të dënimit të ish drejtorit Nazmi Musa nga Gjykata Themelore e Gjilanit, rast tejet i dyshimtë sepse ish drejtori vazhdon të pohoj se paditësja (mësimdhënësja) sipas ligjit nuk ka fare të drejtë të punoj sepse ka diplomë nga Kolegji i cili nuk është i licencuar, e si ky rast janë mbi 40 të tjerë që do t’i hulumtojmë në vijim.
/autorja është këshilltare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/