Kuvendarët e Gjilanit kanë zgjedhur të enjten Shpresa Kurteshin për kryesuese të re Kuvendit Komunal, pasi paraardhësja e saj është zgjedhur deputete e Parlamentit të Kosovës.
Për zgjedhjen e Shpresa Kurteshit kanë votuar 22 anëtarë të Kuvendit, 6 kanë qenë kundër, ndërsa 3 të tjerë kanë abstenuar.
Kurteshi ka qenë e vetmja kandidate për këtë pozitë, meqë PDK-ja dhe Vetëvendosja, si subjekte opozitare, nuk patën propozime, ndërkaq AAK e G/4 kanë përkrahur partnerin e koalicionit.
Shpresa Kurteshi, kryesuese e re e Kuvendit, ka falënderuar LDK-në për besimin që i ka dhënë për të drejtuar Kuvendin Komunal, sikurse edhe partnerët e koalicionit, për mbështetje dhe ka kërkuar bashkëpunimin edhe të anëtarëve të subjekteve tjera, në përmbushjen e agjendës së punës, deri në fund të këtij mandati.
“Pavarësisht se kësaj përbërje i ka ngelur pak kohë deri në fund të mandatit, punët që duhet t`i bëjmë bashkë janë të shumta”, ka thënë ajo.
Seanca është thirr nga Jakup Bajrami, anëtari më i vjetër i kësaj përbërje, i cili ka sqaruar se zgjedhja e kryesues si dhe plotësimi i Kuvendit me dy anëtarë të rinj, janë pika të vetme të rendit të ditës, në mënyrë që vendimmarrja të ketë mundësi të punojë normalisht deri në fund të këtij mandati.
Anëtarë të rinj të Kuvendit janë zgjedhur Shpresa Hajdari (LDK), e cila e ka zëvendësuar Valentina Bunjakun-Rexhepin, që është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës si dhe Mimoza Kadriu (AAK), në vend të Adelina Berishës, e cila ka kaluar në shërbimin civil komunal dhe ligjërisht nuk mund të jetë anëtare e asamblesë.