Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, ka miratuar vendimin për themelimin e komiteteve dhe numrin e anëtarëve të Komiteteve obligative dhe Komiteteve të tjera. Kuvendi ka votuar për themelimin e 11 komiteteve dhe përbërjet e tyre.
Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete, si trupa obligative, do t`i kenë 9 anëtarë, përkatësisht 7, derisa komitetet tjera, jo obligative, do t`i kenë nga 5 anëtarë.
Ndërkohë që, Shpresa Kurteshi – Emini, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kërkuar që edhe legjislatura e tanishme e Kuvendit Komunal të Gjilanit të veprojë kujdesshëm në emërimin e anëtarëve në trupat ndihmëse të tij, ku përveç përfaqësimit politik e profesional, rëndësi të barabartë patjetër që ka dhe përfaqësimi gjinor, në secilin komitet pa përjashtim, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Duke qenë se në të kaluarën kemi dhënë një shembull jashtëzakonisht të mirë në kë drejtim, gjitha mundësitë dhe potencialet ekzistojnë brenda secilës parti politike besoj (që kanë gra të cilat mund të bartin përgjegjësi në politikat komunale) që të vazhdohet një praktikë e tillë”, ka thënë Kurteshi – Emini, që në mandatin e kaluar edhe ka kryesuar Kuvendin Komunal.
Ajo thotë tutje se për këtë, janë të obliguara të gjitha partitë kuvendare që të reflektojnë, jo sa për ta plotësuar një kërkesë që Ligji për Barazi Gjinore e kërkon, por për të vepruar drejt përballë të drejtës njerëzore që secilës gjini i takon!
“Gratë janë vlerë dhe janë në politikë të angazhuara për të dhënë kontribut drejt përmirësimit të jetës shoqërore, jo për të përmbushë kuota, por përtej politikës për të dhënë, gjë që është dëshmuar tash më”, ka thënë në fund kuvendarja e LDK-së, Shpresa Kurteshi Emini. /2LONLINE/