Në organizim të OJQ ,,Vullnetaret e Qytetit”, sot në Gjilan janë zhvilluar dy aktivitete në kuadër të projektit për kulturë, edukim, art (KEA) me fëmijë të grup moshave 4-8 vjeçe.
Në programin e fëmijëve, kushtuar 28 Nëntorit, ditës së flamurit, ka marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi Emini, e cila i ka uruar dhe përgëzuar fëmijët për këtë ditë të shënuar në historinë e popullit shqiptar.
‘Në pamundësi të shtrirjes së aktiviteteve për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid 19, këtë vit po festojmë ndryshe, por në zemër e ndjejmë e kujtojmë njësoj historinë e lavdishme të popullit tonë’, ka thënë Kurteshi Emini.
Ajo ka folur edhe për përkushtimin e institucioneve që fëmijëve t`u sigurohet një e ardhme sa më e mirë.
‘Të gjithë jemi angazhuar për të ardhmen e vendit tonë, që fëmijët të rritën të lirë e të shëndetshëm’, ka thënë ajo, duke shtuar se këto aktivitete pasqyrojnë dashurinë e fëmijëve për Shqipërinë, për simbolet kombëtare dhe dëshirat e tyre. /2LONLINE.com/