Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi – Emini, ka mbajtur një takim të përbashkët me disa nga gratë asambleiste.
Kurteshi – Emini ka bërë me dije se në këtë takim kanë marrë pjesë dhe Kryesuesja e Komitetit për Barazi Gjinore Gjylshene Berisha, Zyrtarja për Barazi Gjinore Linda Salihu dhe Sadete Tërnave nga OSBE, të cilat kanë shprehur vullnet për të ecur bashkë drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta, dhe realizimin e aktiviteteve të shumta të cilat do t’i shërbejnë shoqërisë në përgjithësi, e në veçanti femrës.
“Qëllimi i këtij takimi ka qenë zgjedhja e kryesueses se Grupit të Grave të Komunës së Gjilanit, harmonizimi i qëndrimeve dhe ideve për aktivitetet e këtij grupi. Kryesuese e këtij grupi është zgjedhur Shpresa Hajdari dhe zv.kryesuese Krenare Latifi”, ka bërë të ditur kryesuesja e KK-së, Shpresa Kurteshi – Emini.
Ajo shtoi se asambleistet e Kuvendit Komunal, të gjitha kanë mirëpritur riorganizimin e GGKGJ, dhe kanë shpreh vullnet të angazhohen dhe të punojnë për interes të grave në Komunën e Gjilanit.
Gjithashtu, Shpresa Kurteshi-Emini ka ftuar të pranishmet qe të japin kontributin e tyre në takimin e Komitetit për Politike dhe Financa, Drejtorisë për Buxhet dhe Financa me grupet e interesit, me gratë dhe rininë, në kuadër të Dëgjimit publik për planifikimin e buxhetit për vitin 2018, që do të mbahet me datën 18.08.2017 ora 15:00, në Sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit.