Dy vëllezërit gjilanas, Blend dhe Shend Qerimi kanë gjetur mënyrën e tyre edhe për të shpërfaqur shpirtin fisnik e human, e edhe për t’i dal në ndihmë të riut gjilanas, Ilir Behlulit, i cili është i sëmurë me leukemi akute dhe ka nevojë për ndihmë financiare, pasi kurimi i tij ka kosto të papërballueshme për familjen e tij, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Sot, së bashku me vëllain tim Shendin e kemi marr një iniciativë për t’i dalë në ndihmë Ilirit, i cili është diagnostikuar me leukemi akute. Unë e shfrytëzova atë që di ta bëj më së miri – muzikën. Për tre orë rresht këndova në qendrën e qytetit duke i ftuar të gjithë qytetarët të kontribuojnë”, ka bërë e dije blend Qerimi.
.Ai tha se edhe pse e dinte se njihemi si popull solidar, u befasova për të mirë në gatishmërinë e njerëzve për të ndihmuar, ku sipas tij, i madh e i vogël janë ndal duke dhuruar aq sa kishin.
Ai tha se bashkë me vëllain dëshirojnë t’i falënderojnë përzemërsisht të gjithë qytetarët e Gjilanit që po gjinden në këtë situatë të vështirë për Ilirin dhe familjen e tij pasi ata sot kanë dhuruar mjete, prej kalimtarëve të thjeshtë e deri tek ushtarët, policët, motrat medicinale e të tjerët.
“Për 3-4 orë sa qëndrova, gjithsej u grumbulluan 4183 euro e 80 cent + 20 franga zvicerane. Çka më preku më së shumti është një qytetar i cili vetë jeton në kushte të vështira financiare. Ai u ndal dhe i dhuroi 20 cent, mbase edhe duke e lënë vetën keq, vetëm e vetëm që t’i gjendet në kohë të vështira dikujt që është duke luftuar për jetë”, flet tutje Blendi, edhe në emër të Shendit.
Ai shtoi se nuk dyshon për asnjë moment që Iliri do ta mund këtë sfidë.