Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Shpëtim Hasani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme stinorin e ri në elitën e futbollit suedez me skuadrën e tij Orebro. Gjilanasi ka treguar se është duke kaluar nëpër një formë tejet të lartë, ku të dielën arriti t’i sigurojë një pikë të artë Orebros në udhëtimin e vështir tek AIK, kur shënoi gol tre minuta para fundit të ndeshjes.
Nga tri ndeshjet e para, Orebro ka grumbulluar shtatë pikë dhe ndodhet në pozitën e dytë në tabelë. Pas ndeshjes Hasani, ka gjetur kohë që të jap edhe një intervistë telefonike për Arenën, për të treguar rreth fillimit të kampionatit suedez, formën e mirë të kaluar si dhe ka folur për Përfaqësuesen e Kosovës.
“Momentalisht jam në autobus duke u kthyer për në Orebro. Arritëm të marrim një barazim shumë të merituar, pasi skuadra ka luajtur një ndeshje tejet të mirë ndaj AIK-ut”, u shpreh fillimisht Hasani, i cili foli edhe për dy ndeshjet e para që ‘bardhezinjtë’, i fituan ndaj Halmstadit dhe Mjallbyt, pikërisht me golat e sulmuesit kosovar. “Në dy ndeshjet e para kam shënuar gola me kokë pas harkimeve nga korneri. Mirë është duke më ecur në këtë fillim të kampionatit dhe shpresoj që të vazhdoj me këtë formë”, vazhdoi tutje Hasani. 31-vjeçari ka si synim që të shënoj gola me numër të dyfishtë por nuk e cakton numrin. “Pas tre golave që kam shënuar deri më tani i kam vënë vetes një synim që në fund të kem gola me numër dyshifror e sa të jenë lë të jenë”, ka shtuar Shpëtimi.
Ai ka një karrierë të gjatë në futbollin suedez, ku ka ndryshuar shumë skuadra, ku fillimisht e nisi tek Kalmar, për të vazhduar tek Degerfors, shkoi te Sirius nga aty te Norrkoping dhe tani që dy vite te Orebro. Në ndeshjen historike që Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi kundër Haitit, më 5 mars në Mitrovicë, Shpëtimi ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë, duke krijuar shumë raste për shënim. Ai kthehet për të folur për ndeshjen historike.
“Ishte një ndeshje tejet e mirë, ku ne krijuam shumë raste, por fati nuk e deshi të shënonim fitore”, ka thënë Hasani. Megjithatë në dy ndeshjet e ardhshme kundër Turqisë dhe Senegalit paraqitja e tij është në dyshim, pasi ka obligime ndaj klubit në datat 21 e 25 maj. “Ende është në dyshim nëse do të jem pjesë e Kosovës apo jo në dy ndeshjet e radhës. Dëshira ime është e madhe që të paraqitem por nuk kam biseduar ende me klubin nëse me lejon apo jo. Edhe pse janë ndeshje ndërkombëtare kampionati suedez nuk ndalon dhe ky është një problem”, ka nënvizuar Hasani./RTK/