(2L ONLINE) – Drejtoria e Bujqësisë e Komunës së Gjilanit u ka shpërndarë sot bujqve të Gjilanit 12 shtande moderne në shfrytëzim, në disa pjesë të qytetit, për t’ju mundësuar që produktet e tyre t’i ekspozojnë në mënyrën më të mirë.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Ramiz Ramadani i ka vizituar shitësit e produkteve vendore dhe vlerësoi se në këtë mënyrë do të ndikojë edhe më shumë në shitjen dhe ekspozimin e produkteve bujqësore dhe do të jetë edhe më higjienike.
“Ky hap është ndërmarrë me qëllim të ndihmesës në promovimin e produkteve bujqësore vendore për bujqit gjilanas dhe kjo besojmë shumë që do të ndikoj edhe në shitjen më të mirë dhe gjithashtu është edhe me higjienike se më parë. Ne gjithmonë do të jemi përkrah bujqve, duke i përkrahur dhe stimuluar me mundësitë dhe kapacitetet tona komunale”, ka thënë Ramadani.
Gjatë ditëve të tjera do të shpërndahen edhe të tjera shtange, varësisht nga kërkesat e qytetarëve.
Këto shtande janë përdorë në panairin regjional të produkteve vendore “Gjilani 2014”, kanë karakter sezonal dhe në momentin që përfundon shitja, kthehen në drejtorinë përkatëse. /2L ONLINE/