Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë pajtuar për disa veprime që do ta çojnë vendin në zgjedhje, më së largu në qershor të këtij viti.
Burime të gazetës “Tribuna” të afërta me takimin që ka ndodhur në mëngjesin e së mërkurës, kanë treguar për disa veprime për të cilat janë pajtuar dy krerët e partive opozitare.
Ata janë marrë vesh, që kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, t`i ofrohet mundësia e caktimit të datës se kur do të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës, veprim ky që do t`i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Në rast se PDK refuzon që të caktohet data e shpërbërjes së legjislativit të vendit, atëherë partitë opozitare, përfshirë LDK-në, do t`i bashkohen nismës së AAK-së për të rrëzuar qeverinë me anë të një mocioni mosbesimi.
Të njëjtën marrëveshje, kreu i LDK-së Isa Mustafa po planifikon që ta arrijë edhe me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe me liderët e partive tjera politike. /Tribuna/